E mërkurë, 1 Korrik, 2026

Auditori “kap” Komunën e Vitisë: 106 punëtorë u angazhuan jashtë procedurave ligjore, mijëra euro pagesa mbi kontratë

Ndaj

Zyra Kombëtare e Auditimit gjen se Komuna e Vitisë, e udhëhequr nga Sokol Haliti, angazhoi 106 persona përmes një operatori ekonomik në vend të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, ndërsa në disa pozicione tejkaloi edhe kufijtë e lejuar të kontratës.

Një prej gjetjeve më serioze të Zyra Kombëtare e Auditimit në auditimin e pasqyrave financiare për vitin 2025 të Komunës së Vitisë lidhet me mënyrën e angazhimit të 106 punëtorëve dhe menaxhimin e një kontrate publike në vlerë prej 708,328 euro.
Auditori konstaton se Komuna kishte lidhur një kontratë publike kornizë 24-mujore për “Shërbimet e mbështetjes profesionale me komponentën për ofrimin e shërbimeve publike dhe të mirëqenies së qytetarëve”. Megjithatë, gjatë vitit 2025, përmes operatorit ekonomik u angazhuan 106 punëtorë, ndonëse, sipas auditorit, pozitat e tyre duhej të plotësoheshin përmes procedurave të rregullta të rekrutimit, sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, e jo përmes kontraktimit të shërbimeve të veçanta.
Sipas raportit, gjatë auditimit u konstatua gjithashtu se në dosjet e pagesave mungonin dëshmitë që menaxheri i kontratës kishte vërtetuar sasinë dhe llojin e shërbimeve të ofruara. Raportet e pranimit ishin bazuar kryesisht në vijueshmërinë dhe kohën e kaluar në punë të punëtorëve, të përgatitura nga koordinatorja e operatorit ekonomik.
Auditori gjeti edhe tejkalim të kufijve të lejuar të kontratës. Sipas raportit, në tri pozicione Komuna kishte tejkaluar sasinë indikative dhe devijimin maksimal prej 30%, duke realizuar 34,540 shërbime shtesë në vlerë prej 88,397 euro. Tejkalimet përfshijnë:
Shërbimet sociale -tejkalim prej 22% ose 27,960 euro;
Shërbimet edukative -ttejkalim prej 37% ose 47,027 euro;
Shërbimet në koordinimin e punës – tejkalim prej 22% ose 13,410 euro.
Sipas raportit, Komuna ka arsyetuar se këto mangësi lidhen me kufizimet buxhetore për rekrutimin e punonjësve përmes procedurave të rregullta, ndërsa tejkalimet dhe dobësitë në menaxhimin e kontratës i ka atribuar pakujdesisë në përmbushjen e kërkesave ligjore.
Në vlerësimin e saj, Zyra Kombëtare e Auditimit thekson se këto mangësi kanë ndikuar në shmangien e procedurave ligjore të punësimit, rritjen e shpenzimeve komunale dhe realizimin e pagesave përtej vlerave të përcaktuara në kontratë.
Për këtë arsye, auditori i ka rekomanduar kryetarit të komunës që planifikimi dhe angazhimi i burimeve njerëzore të bëhet në përputhje me legjislacionin për zyrtarët publikë, të shmanget përdorimi i kontratave të shërbimeve për vende të rregullta pune dhe të forcohen kontrollet në menaxhimin e kontratave publike, me qëllim të parandalimit të tejkalimeve të kushteve kontraktuale.
Sipas raportit, Komuna e Vitisë nuk e ka konfirmuar këtë rekomandim./ Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera