Ish-asamblisti i PDK-së, Agron Canolli, është emëruar Drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në Komunën e Prishtinës, e udhëhequr nga kryetari Perparim Rama.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Canolli përmes një njoftimi publik, ku ka konfirmuar se ka pranuar detyrën dhe ka falënderuar për besimin e dhënë.
“Me ndjenjë të thellë mirënjohjeje, përgjegjësie dhe përkushtimi, ju njoftoj se kam pranuar detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në Komunën e Prishtinës. Falënderoj të gjithë për besimin e dhënë”, ka shkruar Canolli.
Ai ka thënë se këtë detyrë e sheh si përgjegjësi ndaj qytetarëve, duke premtuar planifikim të mirëfilltë, zhvillim të qëndrueshëm, mbrojtje të mjedisit dhe vendimmarrje transparente.
Emërimi i Canollit vjen në kohën kur LDK-ja e Perparim Ramës dhe PDK-ja bashkëqeverisin në Komunën e Prishtinës. Drejtoria e Urbanizmit konsiderohet një nga drejtoritë më të rëndësishme në kryeqytet, për shkak të rolit që ka në planifikimin urban, ndërtimet dhe zhvillimin e qytetit.
Canolli ka qenë më parë asamblist i PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ndërsa emërimi i tij shihet si pjesë e ndarjes së përgjegjësive në kuadër të koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së./Kujdestari.info/
Perparim Rama ia dorëzon PDK-së Drejtorinë e Urbanizmit, Agron Canolli emërohet drejtor
Ndaj
Lexo më shumë