Një nga prodhuesit më të mëdhenj të ëmbëlsirave në Serbi, kompania beogradase Pionir, e njohur për çokollatat, biskotat dhe karamelet që prej më shumë se një shekulli, ka humbur një betejë gjyqësore në Kosovë kundër kompanisë prizrenase Liri LLC për pretendimet mbi markën tregtare “Karamele”, shkruan Kujdestari.info.
Kompania serbe Pionir DOO nga Beogradi ka humbur përfundimisht në Gjykatën Komerciale të Kosovës kontestin kundër kompanisë prizrenase Liri LLC, në të cilin pretendonte se prodhuesi kosovar kishte shkelur markën e saj tregtare me produktin “Karamele Lajthi”.
Me aktgjykimin e 15 shtatorit 2025, Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale refuzuan ankesën e kompanisë nga Beogradi dhe lanë në fuqi vendimin e shkallës së parë, i cili kishte rrëzuar tërësisht padinë e saj. (VENDIMI)
Kontesti kishte nisur në vitin 2023, kur Pionir kishte paditur kompaninë Liri LLC, duke pretenduar se produkti i saj “Karamele Lajthi” përdorte elemente vizuale dhe përshkrime që, sipas saj, ishin thelbësisht të ngjashme me markën tregtare “Karamele” të regjistruar nga kompania serbe. Pionir kërkonte që gjykata të konstatonte shkeljen e markës tregtare, të ndalonte shitjen e produktit në Kosovë, të urdhëronte tërheqjen e tij nga tregu dhe madje që aktgjykimi të publikohej në RTK me shpenzimet e kompanisë kosovare.
Në padi, kompania nga Beogradi argumentonte se marka e saj ishte e njohur prej dekadash në tregun rajonal dhe se produkti i kompanisë kosovare kishte ngjashmëri të konsiderueshme në emërtim, ngjyra dhe paraqitje grafike.
Nga ana tjetër, kompania Liri LLC kundërshtoi pretendimet duke argumentuar se edhe vetë ajo ishte pronare e markave të regjistruara ligjërisht pranë Agjencisë për Pronësi Industriale të Kosovës (API). Kompania theksoi se fjala “karamele” është term gjenerik që përshkruan llojin e produktit dhe se markat e saj ishin regjistruar sipas procedurave ligjore.
Gjatë shqyrtimit të rastit, gjykata konstatoi se produkti i kompanisë kosovare ishte i regjistruar në API si markë tregtare dhe gëzonte mbrojtje ligjore. Sipas vendimit, Liri LLC kishte të regjistruara si markën verbale “Karamele” ashtu edhe markën figurative “Karamele Lajthi”, me vlefshmëri deri në vitin 2033.
Pikërisht ky fakt rezultoi vendimtar në gjykim. Gjykata vlerësoi se nuk mund të konstatohej shkelje e markës tregtare, pasi edhe kompania kosovare ishte bartëse e një marke të regjistruar dhe të mbrojtur ligjërisht. Për rrjedhojë, pretendimi i Pionir se Liri LLC po përdorte në mënyrë të paligjshme markën “Karamele” u konsiderua i pabazuar.
Në shkallën e dytë, gjykata konfirmoi këtë qëndrim dhe theksoi se marka e kompanisë kosovare është e mbrojtur me ligj, ndërsa pretendimet e kompanisë serbe nuk mbështeten në prova të mjaftueshme për të vërtetuar shkeljen e markës tregtare.
Po ashtu, gjykata sqaroi se në këtë procedurë nuk mund të vlerësohej ligjshmëria e regjistrimit administrativ të markave tregtare, pasi ato janë akte administrative që mund të kundërshtohen në procedura të tjera të veçanta.
Si rezultat, pas afro dy vitesh proces gjyqësor, kompania serbe Pionir mbeti pa arritur ta largojë nga tregu kosovar produktin “Karamele Lajthi” të kompanisë Liri LLC dhe pa arritur të dëshmojë se marka e saj tregtare ishte shkelur.
Pionir DOO është nga kompanitë më të njohura të industrisë së ëmbëlsirave në Serbi dhe rajon. E themeluar në vitin 1922 në Beograd, kompania prodhon një gamë të gjerë çokollatash, biskotash, karamelesh dhe produkteve të tjera të ëmbla, të cilat shiten në tregjet e Ballkanit dhe më gjerë. Marka e saj “Karamele” ka qenë për dekada një nga produktet më të njohura të kompanisë në tregun e ish-Jugosllavisë.
Liri LLC është kompani kosovare me seli në Prizren, e njohur për prodhimin e ëmbëlsirave dhe produkteve ushqimore. Produktet e saj janë të pranishme prej vitesh në tregun e Kosovës dhe eksportohen edhe në tregje të tjera rajonale. /Kujdestari.info/