Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar një tjetër parregullsi në procedurat e prokurimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke konstatuar se në një tender me vlerë 550 mijë euro janë aplikuar dispozita në kundërshtim me rregulloren e prokurimit publik, raporton Kujdestari.info.
Sipas raportit të auditimit për vitin 2025, gjetja lidhet me projektin “Ri-tender- Shërbime Inxhinierike Profesionale- Mbikëqyrja”, ku ministria kishte përdorur kontratë publike kornizë dhe metodën e peshimit të çmimeve gjatë vlerësimit të ofertave.
Auditorët kanë konstatuar se, megjithëse vlerësimi ishte bërë përmes çmimeve të poentuara sipas peshës së secilit pozicion, në kontratë ishin përfshirë njëkohësisht edhe elemente të tjera, përfshirë çmime të pa-poentuara dhe devijimin e lejuar prej 30 për qind.
Sipas ZKA-së, përfshirja e pragut 30% në këtë rast ishte në kundërshtim me Rregulloren Nr. 002/2024 për Prokurimin Publik, pasi në kontratat me çmime për njësi ku vlerësimi bëhet përmes çmimeve të poentuara, një prag i tillë nuk lejohet të përdoret.
Auditorët vlerësojnë se përfshirja e njëkohshme e çmimeve të poentuara, çmimeve të pa-poentuara dhe pragut 30% tregon mungesë qartësie dhe kontrolli në hartimin e dokumenteve kontraktuale, si dhe moszbatim të saktë të kërkesave rregullative për kontratat me çmime për njësi.
Sipas raportit, kjo praktikë rrit rrezikun për zbatim jo të drejtë të kontratës dhe krijon paqartësi në menaxhimin e saj. Po ashtu, përdorimi i pragut 30% në kundërshtim me rregulloren, sipas auditorëve, cenon parimet e transparencës dhe trajtimit të barabartë në procedurat e prokurimit publik.
Për këtë arsye, ZKA ka rekomanduar që ministria të sigurojë se në kontratat me çmime për njësi, ku aplikohet peshimi i çmimeve të poentuara, të mos përfshihet pragu 30%, si dhe të forcohen kontrollet gjatë hartimit dhe rishikimit të kontratave për të garantuar përputhshmëri të plotë me legjislacionin në fuqi.
Menaxhmenti i ministrisë ka deklaruar se pajtohet me gjetjet dhe rekomandimet e auditorëve.

