E martë, 23 Qershor, 2026

Gjykata lë në fuqi urdhrin për përmbarim ndaj KEK-ut, Infrakos kërkon mbi 445 mijë euro

Ndaj

Gjykata Komerciale e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kundërshtimin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ndaj një urdhri përmbarimor që obligon ndërmarrjen publike të përballet me një kërkesë financiare prej 445,241 eurosh të parashtruar nga Infrakos, raporton Kujdestari.info.

Sipas aktvendimit të nxjerrë më 29 shtator 2025, gjykata ka vendosur që të lërë në fuqi urdhrin përmbarimor të lëshuar më herët nga përmbaruesja private Emine Sherifi-Lubeniqi, duke refuzuar në tërësi prapësimin e KEK-ut.

Rasti lidhet me një kontratë për furnizim me shina hekurudhore të tipit S-49, të lidhur ndërmjet Infrakosit dhe KEK-ut më 24 dhjetor 2024. Në bazë të kësaj kontrate dhe një fature të lëshuar po atë ditë, Infrakos kishte kërkuar përmbarimin e një shume prej 445,241.66 euro, së bashku me kamatë ligjore prej 8 për qind dhe shpenzimet procedurale. (VENDIMI)

KEK-u kishte kundërshtuar urdhrin përmbarimor duke pretenduar se fatura nuk ishte pranuar zyrtarisht, se ishte në kundërshtim me kushtet e kontratës dhe se nuk përputhej me sasinë e materialit të pranuar në depot e korporatës. Po ashtu, KEK kishte argumentuar se dokumentacioni mbi të cilin ishte bazuar përmbarimi kishte mangësi procedurale dhe ligjore.

Megjithatë, Gjykata Komerciale nuk i pranoi këto pretendime. Në arsyetimin e saj, gjykata thekson se fatura e paraqitur nga Infrakos përmban të gjitha elementet e kërkuara me ligj dhe se ajo është pranuar nga KEK-u, gjë që dëshmohet përmes vulës së protokollit të korporatës me numër 365 të datës 10 janar 2025. Sipas gjykatës, pas pranimit të faturës nuk ekziston asnjë provë se KEK-u e kishte kundërshtuar atë në ndonjë aspekt.
Gjykata vlerësoi se fatura përbën “dokument të besueshëm” sipas Ligjit për Procedurën Përmbarimore dhe si e tillë mund të shërbejë si bazë për lejimin e përmbarimit. Për këtë arsye, pretendimet e KEK-ut lidhur me çmimin, sasinë e mallrave apo interpretimin e kontratës nuk mund të trajtohen në këtë procedurë, por eventualisht në procese të tjera gjyqësore.
Në vendim thuhet se barrën e provës për pretendimet e ngritura e kishte KEK-u, por sipas gjykatës, korporata nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme që do të justifikonin anulimin e urdhrit përmbarimor. Për pasojë, urdhri i përmbarimit mbetet në fuqi dhe procedura e ekzekutimit të kërkesës financiare mund të vazhdojë.

Aktvendimi është marrë nga gjyqtari Arben Toska në Departamentin për Çështje Ekonomike të Gjykatës Komerciale. Palët kanë pasur drejtë ankese në Dhomën e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale brenda afatit prej shtatë ditësh nga pranimi i vendimit. Por, nw këtë shkall akoma nuk ka ndonjë vendim. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera