E martë, 23 Qershor, 2026

Përparim Rama prezanton autobusët elektrikë, por ende nuk dihet kush i ka fituar tenderët e BERZH-it

Ndaj

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, publikoi ditëve të fundit fotografi të autobusëve të rinj elektrikë që, sipas tij, do të bëhen pjesë e flotës së transportit publik të kryeqytetit. Në një postim në rrjetet sociale, ai njoftoi se Komuna po mbështet operatorët në procesin e financimit për 15 autobusë elektrikë dhe dy tramvaje, duke publikuar edhe pamje të mjeteve që pritet të qarkullojnë në rrugët e Prishtinës, shkruan Kujdestari.info.

“KRYEQYTETI ME TRAM DHE AUTOBUSË ELEKTRIKË! Sot përkrahëm operatorët në proces të financimit për 15 autobusë elektrikë dhe 2 Tram. Kështu do të duken autobusët e rinj të Kryeqytetit. Modernë, më të qasshëm për të gjithë dhe mbi të gjitha 100% elektrikë”, ka shkruar Rama.

Megjithatë, pavarësisht publikimit të fotografive dhe prezantimit të autobusëve si pjesë e së ardhmes së transportit publik në kryeqytet, një sërë ceshtjesh vazhdojnë të mbeten pa përgjigje. Mbi të gjitha, ende nuk dihet publikisht se cila kompani i ka fituar tenderët për furnizimin me autobusët e rinj, cili është prodhuesi i tyre dhe në cilën fazë ndodhet procedura e prokurimit.

Projekti që nisi me kredi prej 10 milionë eurosh

Historia e autobusëve të rinj të Prishtinës nuk është e re.

Në vitin 2022, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) miratoi një kredi prej 10 milionë eurosh për Ndërmarrjen Publike “Trafiku Urban”, me qëllim modernizimin e transportit publik në kryeqytet.

Sipas dokumenteve të publikuara në atë kohë, projekti parashihte blerjen e gjithsej 30 autobusëve të rinj, përkatësisht 24 autobusë me standard Euro VI dhe 6 autobusë elektrikë me bateri, së bashku me stacionet përkatëse të karikimit.

Projekti u promovua si një hap i rëndësishëm drejt transportit më të pastër, me BERZH-in që kishte deklaruar se autobusët elektrikë do të sillnin për herë të parë këtë teknologji në Kosovë dhe do të reduktonin ndotjen e ajrit në kryeqytet.

Megjithatë, ndonëse financimi ishte siguruar vite më parë, procedurat konkrete për blerjen e autobusëve nuk nisën menjëherë.

Tenderët u hapën në vitin 2025

Vetëm më 2 shkurt 2025, Ndërmarrja Publike “Trafiku Urban” publikoi dy tenderë ndërkombëtarë përmes platformës së prokurimit të BERZH-it.

Tenderi i parë kishte të bënte me furnizimin e 24 autobusëve Euro VI, ndërsa tenderi i dytë kishte të bënte me furnizimin e 6 autobusëve elektrikë dhe infrastrukturën përkatëse të karikimit.

Afati për dorëzimin e ofertave ishte caktuar më 2 prill 2025.

Në njoftimin e publikuar nga BERZH-i thuhej se procedura ishte e hapur për kompani ndërkombëtare dhe se do të zhvillohej sipas politikave dhe rregullave të prokurimit të bankës.

Megjithatë, as atëherë dhe as më vonë nuk u publikua lista e kompanive që kishin aplikuar në tender.

Po ashtu, nuk u publikuan as procesverbalet e hapjes së ofertave, vlerat e ofertave apo emrat e operatorëve ekonomikë pjesëmarrës.

Kërkesa për dokumente publike dhe përgjigjja e Trafikut Urban

Për të kuptuar se në çfarë faze ndodhet procedura dhe cilat kompani po garojnë për furnizimin e kryeqytetit me autobusët e rinj, Kujdestari.info, javë mw patrë ka kërkuar qasje në procesverbalin e hapjes së ofertave për tenderin e autobusëve.

Mirëpo, Ndërmarrja Publike “Trafiku Urban” ka refuzuar ta japë dokumentacionin e kërkuar.

Në përgjigjen e saj zyrtare, ndërmarrja ka deklaruar se procedura e prokurimit nuk administrohet prej saj, por nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Procedura e prokurimit për blerjen e 30 autobusëve zhvillohet dhe udhëhiqet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në përputhje me rregullat dhe politikat e saj të prokurimit”, thuhet në përgjigje.

Sipas Trafikut Urban, i gjithë procesi i menaxhimit të tenderit, duke përfshirë administrimin e dokumentacionit, hapjen e ofertave, vlerësimin dhe publikimin e informatave, realizohet sipas politikave të BERZH-it.

Ndërmarrja ka shkuar edhe më tej duke deklaruar se nuk ka autorizim ligjor për të shpërndarë dokumente ose informacione që janë pjesë e kësaj procedure pa autorizimin paraprak të BERZH-it.

Për këtë arsye, ajo ka rekomanduar që kërkesat për qasje në dokumente dhe informata të adresohen drejtpërdrejt te BERZH-i.

Ndërsa Trafiku Urban deklaron se nuk mund të publikojë dokumentet e tenderit dhe as informacionet për operatorët ekonomikë pjesëmarrës, kryetari Përparim Rama tashmë ka publikuar fotografi të autobusëve që sipas tij do të jenë pjesë e flotës së re të kryeqytetit.

Në fotografitë e publikuara shihen autobusë modernë elektrikë të brenduar me elemente grafike të identitetit të Prishtinës dhe me mbishkrimin “100% Electric”.

Megjithatë, publiku ende nuk ka asnjë informacion zyrtar lidhur me kompaninë që do t’i furnizojë këta autobusë.

Nuk dihet se cili është prodhuesi i tyre, cili operator ekonomik ka paraqitur ofertën fituese, sa kompani kanë konkurruar dhe sa është vlera e kontratës që pritet të nënshkruhet.

Po ashtu nuk është bërë publike nëse kontrata tashmë është nënshkruar apo procedura ende ndodhet në fazën e vlerësimit.

Në fotografitë e publikuara gjatë prezantimit të autobusëve elektrikë, në pjesën e pasme të autobusit vërehet logoja “Powered by PRIAK”. Sipas të dhënave të regjistrimit të bizneseve, PRIAK Sh.P.K. është kompani që operon në fushën e teknologjisë informative. Drejtor menaxhues i saj është Krishnik Gjergji, i cili figuron edhe si bashkëpronar i kompanisë Parkia Sh.P.K.

Gjergji njihet gjithashtu si bashkëshorti i këngëtares Dafina Zeqiri. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e ditur publikisht se cili ka qenë roli konkret i kompanisë PRIAK në projektin e autobusëve elektrikë të prezantuar nga Komuna e Prishtinës.

Nga 6 autobusë elektrikë në 15 autobusë elektrikë

Një tjetër çështje me dilema lidhet me numrin e autobusëve.

Tenderi i publikuar nga BERZH-i dhe dokumentet e njohura publikisht flasin për furnizimin me 6 autobusë elektrikë dhe 24 autobusë Euro VI.

Mirëpo, në postimin e tij të fundit, Përparim Rama ka folur për financimin e 15 autobusëve elektrikë dhe dy tramvajeve.

Deri më tani nuk është bërë publik ndonjë dokument që shpjegon këtë ndryshim.

Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një fazë të re të projektit, për financim shtesë, për partneritet me operatorë privatë apo për një projekt tjetër të veçantë nga ai që ishte prezantuar fillimisht me BERZH-in.

Kjo ka krijuar paqartësi shtesë rreth përmasave reale të investimit dhe mënyrës se si po zhvillohet projekti.

Modernizimi i transportit publik është një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore për Prishtinën dhe një investim që financohet me miliona euro.

Për momentin, qytetarët mund të shohin se si pritet të duken autobusët e rinj elektrikë, por ende nuk mund të dinë se kush do t’i furnizojë ata, sa do të kushtojnë dhe si është përzgjedhur operatori ekonomik që do të përfitojë një prej kontratave më të mëdha të transportit publik në kryeqytet. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera