E martë, 23 Qershor, 2026

Çka gjetën auditorët te tenderët e Komunës që udhëhiqet nga Agim Aliu

Ndaj

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar një sërë parregullsish në procedurat e prokurimit dhe menaxhimin e kontratave në Komunën e Ferizajt gjatë vitit 2025, duke identifikuar shkelje që lidhen me tenderë milionësh, hyrje në obligime pa mbulim të mjaftueshëm buxhetor, mungesë të projekteve ekzekutive dhe pagesa për punë të papërfunduara, raporton Kujdestari.info.

Sipas ZKA, komuna kishte lidhur gjashtë kontrata me vlerë mbi 500 mijë euro pa bërë njoftimin paraprak të kërkuar nga rregullat e prokurimit publik. ZKA thotë se kjo ndikon në transparencën e procesit dhe kufizon konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë.

Tenderët e evidentuar janë:

Ritenderimi për Ndërtimin e Qendrës Multifunksionale në Ferizaj – 3.29 milionë euro;

Rikonstruktimi i rrugës Ferizaj–Pleshinë – 2.89 milionë euro;

Asfaltimi i rrugës Tërn–Kosinë–Ferizaj – 2.44 milionë euro;

Asfaltimi i rrugës kryesore në Zllatar dhe trotuarit deri te shkolla – 2.33 milionë euro;

Asfaltimi i rrugëve Fshati i Vjetër–Komogllavë–Ferizaj – 1.55 milion euro;

Asfaltimi i rrugës kryesore Zllatar–Rahovicë – 929 mijë euro.

Kontrata milionëshe pa mbulim të plotë financiar

Auditimi ka konstatuar se komuna ka hyrë në obligime kontraktuale pa siguruar fondet e nevojshme financiare.

Te projekti i rikonstruktimit të rrugës Ferizaj–Pleshinë, me vlerë 2.89 milionë euro, komuna kishte të planifikuara vetëm 90 mijë euro për periudhën 2025–2027, ndërsa mori obligime kontraktuale pa mbulim për rreth 809 mijë euro.

Në projektin “Asfaltimi i rrugëve Fshati i Vjetër-Komogllavë–Ferizaj”, me vlerë 1.55 milion euro, auditori gjeti se komuna kishte hyrë në obligime pa mbulim buxhetor prej afër 250 mijë eurosh.

Po ashtu, te projekti “Rikonstruktimi i rrugës Bedri Asllani”, me vlerë 277 mijë euro, komuna kishte në dispozicion vetëm 200 mijë euro, ndërsa kishte marrë obligime për të gjithë vlerën e kontratës.

Tenderë të nisur pa projekte ekzekutive

Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me fillimin e procedurave të prokurimit pa hartuar paraprakisht projektet ekzekutive, ndonëse kjo kërkohet me rregulloren e prokurimit publik.

Sipas raportit, pa projekte ekzekutive ishin iniciuar dhe kontraktuar:

Rikonstruktimi i rrugës Varosh–Gërlicë – 1.85 milion euro;

Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc – 513 mijë euro;

Rikonstruktimi i rrugës Bedri Asllani – 277 mijë euro;

Asfaltimi i rrugëve në Rahovicë dhe Talinoc të Muhaxherëve – 249 mijë euro.

Auditorët vlerësojnë se zhvillimi i procedurave pa projekte të detajuara rrit rrezikun për realizim joefikas të kontratave dhe krijon mundësi për shpenzime të paparashikuara gjatë zbatimit të projekteve.

Pagesa për punë të papërfunduara

ZKA ka identifikuar edhe pagesa të realizuara për punë që nuk kishin përfunduar në momentin e ekzekutimit të tyre.

Në projektin “Ndërtimi i shkollës së mesme në Ferizaj”, me vlerë 1.8 milion euro dhe me një aneks-kontratë shtesë prej mbi 104 mijë euro, komuna kishte realizuar pagesë prej 19,999 eurosh për punime dhe furnizime që lidhen me sallën e edukatës fizike, ndonëse ato nuk ishin përfunduar plotësisht sipas kërkesave të paramasës në momentin e pagesës.

Auditimi konstatoi gjithashtu se menaxheri i kontratës nuk kishte përgatitur raportin përfundimtar për realizimin e projektit, dokument i cili do të duhej të vlerësonte përputhshmërinë e punimeve me kontratën dhe gjendjen faktike në terren.

Sipas ZKA, problemet kryesore në tenderët e Komunës së Ferizajt lidhen me mungesën e njoftimeve paraprake për kontrata milionëshe, hyrjen në obligime pa mbulim të mjaftueshëm financiar, nisjen e tenderëve pa projekte ekzekutive dhe realizimin e pagesave për punë të papërfunduara.

ZKA vlerëson se këto mangësi ndikojnë në transparencën e prokurimit publik, rrisin rrezikun e kostove shtesë dhe mund të cenojnë realizimin efikas të projekteve të financuara me para publike. /Kujdestari.info/

RAPORTI

Lexo më shumë

Të tjera