Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar një sërë parregullsish në zbatimin e disa prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në vend, përfshirë ndërtimin e urave në Mitrovicë, segmentin e Autostradës së Gjilanit dhe një projekt rrugor në rajonin e Prizrenit, shkruan Kujdestari.info.
Sipas auditorëve, gjatë verifikimeve në terren janë identifikuar dobësi në mbikëqyrjen e punimeve, zbatimin e kontratave dhe kontrollin e realizimit të projekteve, duke ngritur pikëpyetje për respektimin e kushteve kontraktuale dhe përdorimin e fondeve publike.
Urat e Mitrovicës: Menaxheri në terren nuk ishte ai i paraqitur në tender
Në projektin “Ndërtimi i mbikalimeve (urave) për këmbësorë dhe automjete në Mitrovicë”, me vlerë prej afro 3 milionë euro, auditorët konstatuan se menaxheri i projektit i angazhuar në terren nuk ishte i njëjti person që ishte deklaruar në ofertën fituese gjatë procedurës së tenderimit.
Sipas raportit, kjo përbën devijim nga kapacitetet profesionale mbi bazën e të cilave ishte vlerësuar dhe shpallur fitues operatori ekonomik.
Po ashtu, auditimi ka gjetur se punimet që lidhen me armaturën dhe betonin janë realizuar nga një palë e tretë, përkatësisht nënkontraktues, pa u ndjekur procedura e kërkuar kontraktuale dhe pa miratimin paraprak me shkrim nga autoriteti kontraktues.
Një tjetër gjetje lidhet me faktin se në dy pozicione të kontratës ishte vendosur mbishkrimi i kompanisë që kishte kryer punimet, element ky që nuk ishte paraparë në projektin e miratuar dhe as në specifikimet teknike.
Punime të kryera para nënshkrimit të aneks-kontratës
Auditorët kanë konstatuar edhe një problem tjetër në të njëjtin projekt.
Megjithëse një aneks-kontratë ishte nënshkruar më 29 dhjetor 2025 dhe punimet sipas saj duhej të fillonin vetëm pas lëshimit të lejes nga menaxheri i projektit, gjatë vizitës në terren u vërejt se disa nga punimet e përfshira në këtë aneks kishin përfunduar tashmë.
Sipas dëshmive të siguruara nga auditimi, këto punime ishin realizuar para formalizimit të tyre përmes aneks-kontratës.
Autostrada e Gjilanit: Stafi kyç i deklaruar në tender mungonte në terren
Parregullsi janë evidentuar edhe në projektin “Ndërtimi i rrugës Prizren- kufiri me Maqedoninë e Veriut, segmenti Struzhë – kyçja në Autostradën Ibrahim Rugova”, i njohur si një prej projekteve të rëndësishme rrugore.
Gjatë kontrollit në terren, auditorët konstatuan se menaxheri i projektit dhe udhëheqësi i punishtes që po zbatonin punimet nuk ishin personat e deklaruar në ofertën fituese.
Sipas ZKA-së, kjo tregon se stafi kyç i paraqitur gjatë tenderimit për të dëshmuar kapacitetet profesionale nuk ishte i njëjti me stafin që po realizonte kontratën në praktikë.
Te Autostrada e Gjilanit u paguan edhe punë të pakryera
Një nga gjetjet më serioze të auditorëve lidhet me projektin e Autoudhës A7.1, Banullë – Dheu i Bardhë (Autostrada e Gjilanit), Loti 8, kontratë me vlerë mbi 11.9 milionë euro.
Sipas raportit, gjatë verifikimit në terren janë identifikuar pozicione që ishin përfshirë në situacionet e pagesës dhe ishin paguar, ndonëse nuk ishin realizuar plotësisht.
Në një rast, ishte paguar furnizimi dhe ndërtimi i puseve të betonit të armuar në vlerë prej rreth 39 mijë euro, por në terren mungonin kapakët metalikë që ishin pjesë përbërëse e punës së kontraktuar.
Në një rast tjetër, ishin paguar shtylla metalike të ndriçimit në vlerë prej rreth 4,200 euro, megjithëse auditimi konstatoi se ato nuk ishin të vendosura në terren.
Sipas ZKA, rastet e identifikuara tregojnë se gjatë realizimit të projekteve kapitale nuk është ushtruar kontroll dhe mbikëqyrje e mjaftueshme nga ministria dhe menaxherët e projekteve.
Raporti përmend disa probleme kryesore: mosverifikimin e stafit kyç të deklaruar në tender; nënkontraktime pa miratim paraprak; devijime nga projektet dhe specifikimet teknike; pranimin dhe pagesën e punëve pa u siguruar se ato ishin realizuar plotësisht; formalizimin e vonuar të ndryshimeve kontraktuale.
ZKA vlerëson se këto mangësi krijojnë pasiguri në realizimin korrekt të kontratave, ndikojnë në cilësinë e punimeve dhe rrisin rrezikun që fondet publike të përdoren në mënyrë joefikase.
Për këtë arsye, auditorët kanë rekomanduar forcimin e mbikëqyrjes së projekteve kapitale, verifikimin e stafit të angazhuar në terren, kontroll më të rreptë të nënkontraktimeve dhe pagesën vetëm të punëve të realizuara dhe të verifikuara sipas kontratës. /Kujdestari.info/



