E premte, 29 Maj, 2026

Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë, ASK: Transporti dhe pagat me ndikimin më të madh

Ndaj

Kostoja e ndërtimit në Kosovë ka shënuar rritje edhe në fillim të vitit 2026, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), raporton Kujdestari.info.

Sipas Indeksit të Kostos së Ndërtimit (IKN), në tremujorin e parë të vitit 2026 (TM1), ndërtimi është bërë më i kushtueshëm krahasuar si me fundin e vitit të kaluar, ashtu edhe me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

ASK njofton se indeksi i përgjithshëm i kostos së ndërtimit është rritur për 2.5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025. Ndërkohë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rritja arrin në 4.3 për qind.

Sipas statistikave, ndikimin më të madh në rritjen tremujore e ka pasur transporti, me një ngritje prej 5.9 për qind, i ndjekur nga pagat, të cilat janë rritur për 2.8 për qind. Po ashtu, rritje kanë shënuar edhe kostot tjera operative (2.6%), materialet ndërtimore (2.5%) si dhe makineritë (0.5%). Në anën tjetër, ASK thotë se ka pasur ulje të kostos së energjisë për 3.9 për qind.

Kur krahasimi bëhet në baza vjetore, të dhënat tregojnë se sektori i ndërtimit po përballet me rritje edhe më të theksuara të disa komponentëve kryesorë. Transporti është shtrenjtuar për 11.5 për qind, ndërsa pagat janë rritur për 8.6 për qind. Rritje janë evidentuar edhe te kostot tjera (6.2%), energjia (5.5%), materialet ndërtimore (3.2%) dhe makineritë (0.7%).

Të dhënat tregojnw se trendi i rritjes së kostove në sektorin e ndërtimit po vazhdon, çka potencialisht mund të reflektohet edhe në çmimet e banesave, objekteve afariste dhe projekteve infrastrukturore në vend. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera