Komuna e Shtimes ka nënshkruar një kontratë publike për “Mirëmbajtjen e ndriçimit publik (kontratë kornizë dyvjeçare)”, me vlerë të përgjithshme prej 170 mijë euro, e cila sipas dokumentit do të vlejë deri në maj të vitit 2028, ose deri në shterjen e shumës së kontratës. Kjo nënkupton se kontrata mund të përfundojë edhe më herët, nëse arrin limitin financiar prej 170 mijë eurove, shkruan Kujdestari.info.
Megjithatë, kontrata ngre disa dilema lidhur me mënyrën se si janë vendosur çmimet për njësi dhe mënyrën se si mund të realizohen porositë gjatë zbatimit të saj.
Ndryshe nga kontratat klasike ku përcaktohet saktë sasia e mallrave apo punimeve, kjo është një kontratë kornizë, ku komuna ka përcaktuar vetëm çmimin për njësi, ndërsa te artikujt, sasia figuron vetëm me numrin “1”. Praktikisht, kjo do të thotë se nuk dihet paraprakisht sa copë apo sa metra të një produkti do të blihen, pasi furnizimi bëhet sipas nevojës së autoritetit kontraktues. (Kontrata)
Në praktikë, kjo nënkupton se disa artikuj mund të porositen vazhdimisht gjatë dy viteve, ndërsa disa të tjerë mund të mos porositen fare.
Çmime nga 15 cent deri në dhjetëra euro për artikuj të ngjashëm
Një analizë e listës së çmimeve ngre disa dilema lidhur me dallimet në vlerësim të artikujve.
Në kontratë figurojnë disa pozicione me çmime shumë të ulëta, madje deri në 0.15 euro (15 cent) për njësi, për artikuj të ndryshëm elektrikë, konektorë dhe aksesorë teknikë. Ka po ashtu pozicione me 0.30 euro, 0.45 euro dhe 0.75 euro, që në shikim të parë duken simbolike.
Në anën tjetër, disa artikuj të tjerë të së njëjtës natyrë funksionale apo kategori teknike figurojnë me çmime dukshëm më të larta.
Për shembull:
një projektor/ndriçues LED 50W figuron me çmim rreth 57.80 euro,
ndërsa pozicione të tjera për LED 100W figurojnë rreth 9.90 euro,
e disa edhe 150W rreth 10 euro.
Në dukje kemi të bëjmë me çmime të çrregullta të tregut dhe të vetë ofertimit. Por, vetëm kontrata nuk mjafton për të konstatuar nëse kemi të bëjmë me çmime të fryra apo jo, pasi dallimi mund të lidhet me markën, standardin teknik, IP mbrojtjen, fuqinë reale të ndriçimit, materialin apo garancinë. Megjithatë, diferenca të tilla krijojnë dyshime legjitime nëse kemi të bëjmë me produkte realisht të krahasueshme.
Kur çmimet e ulëta mund të jenë vetëm “në letër”
Ekspertë të prokurimit publik shpesh kanë ngritur shqetësime për mënyrën se si funksionojnë kontratat kornizë, sidomos kur sasitë nuk janë të përcaktuara.
Në teori, operatorët ekonomikë mund të vendosin çmime shumë të ulëta në artikuj që kanë pak gjasa të porositen, me qëllim që oferta të rezultojë më konkurruese dhe të dalë më e lirë në total. Ndërkohë, fitimi potencial mund të zhvendoset te artikujt që porositen më shpesh gjatë zbatimit të kontratës.
Çfarë do të porositet realisht?
Cështja kyçe nuk është vetëm sa kushton një artikull në listë, por cilët artikuj do të porositen realisht dhe sa herë.
Nëse gjatë dy viteve porositen kryesisht artikujt me çmime më të larta, atëherë pesha reale financiare e kontratës mund të jetë krejt tjetër nga ajo që duket në ofertën fillestare. Në të kundërtën, nëse përdoren më shumë artikujt me çmime më të ulëta, komuna mund të përfitojë financiarisht. Për këtë arsye, përgjigjja shihet vetëm pasi të bëhen publike urdhërblerjet, faturat dhe sasitë konkrete të artikujve të porositur, deri në momentin kur kontrata të arrijë kufirin prej 170 mijë eurove. /Kujdestari.info/
