Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka miratuar pasqyrat financiare vjetore të BQK-së për vitin financiar 2025, të audituara nga auditori i jashtëm i pavarur.
BQK njofton se pasqyrat financiare vjetore janë verifikuar nga auditori i jashtëm dhe kanë marrë opinion të pakualifikuar.
“Pasqyrat financiare vjetore kanë marrë opinion të pastër (pa kualifikim) nga auditori i jashtëm, duke konfirmuar se ato paraqesin në mënyrë të drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozitën financiare dhe performancën financiare të Bankës Qendrore, në përputhje me kornizën përkatëse të raportimit financiar.”-njofton BQK.
Në përputhje me Ligjin nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (nenin 55, si dhe nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2), 50 për qind e të ardhurave të ndashme transferohen në si të hyra për buxhetin e shtetit, ndërsa 50 për qind alokohen në fondin e rezervave të përgjithshme të Bankës Qendrore.
BQK tregon do t’i transferojë 12 milionë euro në buxhetin e shtetit, duke e çuar totalin e transferimeve në 38 milionë euro në tri vitet radhazi.
“Në bazë të këtyre dispozitave, 12 milionë euro nga të ardhurat e ndashme për vitin 2025 do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të alokohet në rezervat e përgjithshme të BQK-së, në përputhje me kërkesat ligjore dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare institucionale. Ky është viti i tretë radhazi që Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ndan të ardhura për buxhetin e shtetit, duke e çuar vlerën totale të transferimeve në afër 38 milionë euro.”-bën të ditur BQK. /Kujdestari.info/