E premte, 29 Maj, 2026

Paratë “vërshojnë” në kredi, pensione e sigurime: Mbi 4 miliardë euro nën menaxhim në Kosovë

Ndaj

Sektori financiar jobankar në Kosovë po vazhdon rritjen, me qytetarët që po mbështeten gjithnjë e më shumë në kredi, ndërsa fondet pensionale kanë kaluar shifrën prej 4 miliardë eurove në asete. Kështu tregojnë statistikat më të fundit të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës për muajin prill 2026, shkruan Kujdestari.info,

Sipas raportit, asetet e ndërmjetësve tjerë financiarë kanë arritur në 778.84 milionë euro, duke u rritur për mbi 13 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Brenda këtij sektori, kreditë bruto kanë arritur në 578.42 milionë euro, apo rreth 8.5 milionë euro më shumë se në periudhën paraprake.

Të dhënat tregojnë se barrën kryesore të huamarrjes vazhdojnë ta mbajnë ekonomitë familjare. Sipas BQK-së, 59.04 për qind e kredive të ndërmjetësve financiarë janë të orientuara drejt familjeve, duke dëshmuar varësinë e lartë të qytetarëve nga financimi me kredi.

Vetëm gjatë muajit prill, ndërmjetësit financiarë kanë emetuar kredi të reja në vlerë prej 60.06 milionë euro.

Rritje ka shënuar edhe sektori i sigurimeve. Asetet e kompanive të sigurimit kanë arritur në 390.86 milionë euro, ose rreth 3.3 milionë euro më shumë se një muaj më parë. Pjesa më e madhe e këtyre aseteve mbahet në bankat komerciale, që përbëjnë 45.90 për qind të totalit, ndërsa pjesa tjetër dominohet nga letrat me vlerë, asetet tjera dhe risigurimet.

Ndërkohë, fondet pensionale vazhdojnë të mbeten “gjiganti” i sektorit financiar jobankar. Asetet e tyre kanë arritur në 4.05 miliardë euro, me strukturën që dominohet nga aksionet dhe letrat me vlerë të kapitalit, të cilat përbëjnë 81.75 për qind të gjithsej aseteve.

Statistikat e publikuara nga BQK-ja tregojnë një zgjerim të vazhdueshëm të sektorit financiar në Kosovë, por njëkohësisht edhe varësi të madhe të ekonomive familjare nga kreditimi. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera