Flet Arben Shkodra, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë
Për Arben Shkodrën, sekretarin e përgjithshëm të Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë, bazuar në një analizë paraprake të realizuar nga Ministria e Ekonomisë mbi vetëdeklarimet e bizneseve, vetëm rreth 10–15% e tyre konsiderohen të përgatitura për t’u bërë pjesë e tregut të Bashkimit Europian.
Z. Shkodra thotë se sektorët e përpunimit ushqimor dhe të ndërtimit do të përballen me sfidat më të mëdha gjatë procesit të integrimit në BE.
Ai u kërkon të gjitha bizneseve shqiptare të nisin transformimin për të përmbushur standardet dhe për të rritur konkurrueshmërinë në tregun europian.
Ku është fokusuar Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë për të ndihmuar bizneset vendase për plotësimin e standardeve për integrim në tregun europian?
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një nga objektivat më madhorë, çka do të thotë se edhe organizatat e biznesit, në veçanti Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, janë të fokusuara në integrimin e sektorit të përpunimit industrial në BE.
Sektori i përpunimit industrial ndahet në dy nënsektorë: përpunimi industrial ushqimor dhe përpunimi industrial joushqimor. Pa dyshim që problemet më të mëdha do të hasen te nënsektori i përpunimit industrial ushqimor, pasi BE, me të gjitha standardet dhe kriteret teknike që vendos dhe kërkesat përkatëse, e ka fokusin te njeriu dhe siguria ushqimore e konsumatorit europian.
Në momentin e anëtarësimit të vendit në BE, çdo qytetar i Shqipërisë kthehet në konsumator të vendeve europiane dhe çdo konsumator europian që prek territorin shqiptar është pjesë e tregut europian dhe duhet t’i garantohet siguria ushqimore.
Në këtë kuadër, për 5-vjeçarin e ardhshëm jemi fokusuar në analizën dhe identifikimin e të gjitha instrumenteve mbështetëse që ne si Shoqatë e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë mund t’u japim anëtarëve dhe atyre që përfaqësojmë, në mënyrë që të jenë të mirinformuar dhe të mbrojtur, dhe më pas të propozojmë masa konkrete për institucionet, me qëllim që të kemi një integrim sa më të lehtë.
Çfarë keni konstatuar nga sondazhet paraprake? Si është situata me bizneset shqiptare, sa prej tyre arrijnë të përmbushin standardet e kërkuara?
Nga një analizë e Ministrisë së Ekonomisë, por edhe nga vlerësimet e kryera prej kohësh në terren, gjykojmë se sektori që do të goditet më shumë nga procesi i parë i certifikimit, i vlerësimit dhe i integrimit do të jenë degët e nënsektorit të përpunimit industrial ushqimor.
Këtu përfshihen pijet alkoolike dhe joalkoolike, produktet ushqimore që prodhohen, tregtohen dhe përpunohen, si frutat, perimet, vaji i ullirit, brumërat, mishi dhe nënproduktet e tij, peshku etj.
Aktualisht, vëmendja kryesore e BE-së është identifikimi dhe vlerësimi i të gjithë sektorëve dhe nënsektorëve të industrisë ushqimore, me qëllim që ato të integrohen brenda standardeve ekonomike dhe të garantohet siguria ushqimore për konsumatorin europian.
Ne vlerësojmë që edhe nënsektori i përpunimit industrial joushqimor do të ketë mjaft probleme dhe kompanitë shqiptare duhet të nisin përgatitjen për plotësimin e standardeve, përfshirë standardet teknike për materialet e ndërtimit.
Si materialet e ndërtimit, ashtu edhe procesi i ndërtimit, do të kalojnë në një filtër shumë të dendur të BE-së, pasi duhet të garantohet që jo vetëm materialet të jenë të bazuara mbi eurokodet, por edhe procesi i ndërtimit në Shqipëri të jetë i bazuar në rregulla shumë strikte.
Kjo do të thotë se ndërmarrjet vendase, qoftë të përpunimit industrial ushqimor, qoftë ato joushqimor, duhet të nisin punën për transformim të brendshëm. Fjalët kryesore për integrim janë: arritja e konkurrueshmërisë dhe transformimi. Pa transformim nuk mund të arrihet konkurrueshmëria.
Nga të dhënat paraprake, sa nga bizneset shqiptare i plotësojnë kriteret për standardet europiane?
Bazuar në një analizë paraprake të bërë nga Ministria e Ekonomisë sipas vetëdeklarimeve të bizneseve, rezulton se rreth 10 deri në 15% e tyre janë relativisht të përgatitura për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Rezulton një kategori tjetër ku përfshihen kompanitë që kanë probleme, por të zgjidhshme.
Dhe është një tjetër kategori, ku përfshihet numri më i madh i bizneseve që nuk përmbushin asnjë standard teknik për të qenë pjesë e tregut europian, por që edhe nuk kanë dijeni sesi do t’i plotësojnë.
Si do të realizohet përmbushja e këtyre standardeve nga bizneset? A janë sipërmarrjet financiarisht në gjendje t’i përballojnë kostot?
Ndihma duhet të jetë e domosdoshme. Së pari, kompanitë duhet të marrin informacionin e nevojshëm dhe të ndërgjegjësohen se ajo që po vjen është krejtësisht një situatë e re, nga modeli i biznesit që jemi mësuar deri tani.
Së dyti, bizneset duhet të bëjnë vetëvlerësim, që ka të bëjë me njohjen e standardeve, kritereve dhe detyrimeve që duhet të plotësojnë. Duhet të vlerësojnë veten në çfarë niveli janë të përputhshmërisë me standardet.
Vetëvlerësimi duhet t’i çojë në një analizë kostoje, që do të thotë se për të arritur standardin mund t’u duhet ose të mbyllin kompaninë dhe të mendojnë një aktivitet tjetër, ose të llogarisin kostot dhe afatet për plotësimin e standardeve.
Nga ana tjetër, rol shumë të rëndësishëm në këtë proces duhet të luajë qeveria, e cila duhet të bëjë një vlerësim makro të boshllëqeve të degëve të caktuara të industrive dhe sektorëve dhe të fillojë t’i mbështesë nëpërmjet një programi të posaçëm për integrimin europian.
Duke parë strukturën e ndërmarrjeve në vend, ku 99% e kompanive janë mikrondërmarrje, 1 deri në 2% janë kompani të vogla dhe të mesme, 98% e biznesit nuk kanë mundësi reale monetare dhe kapacitetesh për të bërë transformimin, me qëllim arritjen e konkurrueshmërisë dhe mbijetesën në treg.
Kjo do të thotë se duhet një vëmendje shumë e madhe te 98% e kompanive, për të parë se sa prej tyre mund të ndihmohen për t’u ngritur në nivelin e Bashkimit Europian.
Ndërsa për 2% e mbetur ka nevojë për orientim më të mirë nga qeveria dhe për rritje të nivelit të tyre në burime njerëzore dhe teknologjike, për të kaluar nga teknologjia 3.0 në teknologjinë 4.0 apo 5.0, si dhe për lehtësime procedurale për uljen e barrës administrative.
Po ashtu, nevojitet edhe ndërveprim me qeverinë për inovacionin dhe kërkimin shkencor, duke rritur dialogun mes tyre.
Për çfarë referoheni kur thoni masa për uljen e barrës administrative?
Së pari duhet të rritet dialogu ndërmjet institucioneve publike dhe private, pasi gjatë tryezave të dialogut mund të dalin shumë çështje të zgjidhshme.
Bëhet fjalë për procedura administrative që ministritë kanë me bizneset, që lidhen me lejet, licencat, autorizimet, hapjen e tregut, kriteret dhe procedurat e shtuara, si dhe tarifat.
Sa më shumë shërbime online të ofrohen për biznesin, aq më mirë është. Barra administrative nënkupton procedura të vendosura përmes ligjeve dhe akteve nënligjore, të cilat në disa raste krijojnë pengesa të panevojshme.
Pra, biznesit duhet t’i hiqen pengesat dhe procedurat e tepërta që nuk janë të nevojshme në kushtet e hapjes së tregut.
A do të duhet të orientohet biznesi drejt sektorëve të caktuar?
Patjetër që biznesi duhet të orientohet se cili do të jetë modeli ekonomik që do të kemi në Bashkimin Europian. A do t’i kemi të gjithë këta sektorë? Një orientim i tillë është shumë i rëndësishëm.
Biznesit duhet t’i jepet informacion i qartë, që sipas analizave të qeverisë dhe të tregut, disa sektorë mund të mos jenë shumë interesantë për të ardhmen.
Kjo i ndihmon bizneset ekzistuese të riorientojnë aktivitetin, por është gjithashtu një informacion shumë i vlefshëm edhe për sipërmarrësit e rinj, që të mos hyjnë në sektorë ku nuk ka shanse mbijetese në tregun e Bashkimit Europian.
Nga ana tjetër, qeveria duhet të bëjë përpjekje maksimale për të mbështetur prodhimin vendas, siç është rasti i markës “Made in Albania”, përmes promovimit dhe nxitjes së prodhimit, pa pasur domosdoshmërisht nevojë për ulje taksash.
Sa është afati për arritjen e këtyre standardeve?
Deri në vitin 2030 kemi kohën për të realizuar këtë transformim. Më pas hyjnë në fuqi direktivat e Bashkimit Europian, që do të thotë se Shqipëria bëhet pjesë e BE-së dhe të gjitha kompanitë duhet të kenë përmbushur kriteret nëse duan të qëndrojnë në treg.
Bizneset kanë edhe rreth tre vite kohë dhe ekonomia shqiptare ka mundësi të shpëtojë një pjesë të konsiderueshme të tyre, duke i bërë të denja për tregun europian. Në të kundërt, kompanitë që nuk përmbushin standardet do të dalin nga tregu.
Tregu nuk do të mbetet bosh, ai do të zëvendësohet nga kompani të tjera europiane, duke sjellë edhe një konkurrencë të fortë në tregun vendas, por edhe “pushtim” të ri ekonomik të vendit. /Monitor.al