Çmimet e konsumit janë rritur për 6% në qershorin e këtij vitit krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 6,0 % në muajin qershor 2026, krahasuar me muajin qershor 2025.
Sipas ASK-së rritja është ndikuar nga grupet kryesore si transporti (13,7 %), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (11,1 %), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,1%), restorante dhe shërbime akomodimi (4,5%), shëndetësia (4,1%), ushqime dhe pije joalkoolike (3,9 %), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,2 %), mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (3,0 %), veshje dhe këpucë (2,3 %), rekreacion, sport dhe kulturë (2,0 %) dhe informacion dhe komunikim (0,2 %).
Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar në grupin shërbimet arsimore (-0,6 %).
Sipas ASK-së ka pasur rënie të inflacionit mujor prej -0,1 % në muajin qershor të këtij vitit krahasuar me majin.
“Në muajin qershor 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) pësoi rënie në një mesatare prej -0,1 % krahasuar me muajin maj 2026. Rënia është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: ushqime dhe pije joalkoolike (-0,6 %) dhe strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (-0,3 %)”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, rritje e çmimeve thuhet se është regjistruar në grupet: rekreacion, sport dhe kulturë (0,8 %), shërbimet arsimore (0,5 %), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (0,4 %), transporti (0,3 %), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (0,2 %), mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (0,2 %), restorante dhe shërbime akomodimi (0,2 %), veshje dhe këpucë (0,1%) dhe shëndetësi (0,1%).