Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian ka miratuar mbështetje financiare në vlerë prej 206.4 milionë eurosh për Kosovën, përmes programeve IPA 2026, IPA 2027 dhe Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Sipas saj, Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, në vlerë prej 180.5 milionë eurosh. Pas miratimit formal nga Komisioni Evropian, si dhe nënshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes Financiare nga Kuvendi i Kosovës, do të nisë zbatimi i projekteve.
Fondet do të investohen në sektorë me rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit, përfshirë mjedisin dhe klimën, energjinë, menaxhimin e kufijve dhe migrimin, konkurrueshmërinë, arsimin dhe punësimin, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Rreth gjysma e mjeteve do të dedikohen për investime infrastrukturore, ndërsa një pjesë e projekteve do të realizohen në partneritet me institucione financiare ndërkombëtare dhe me bashkëfinancim nga institucionet e Kosovës.
Përveç fondeve IPA, janë miratuar edhe tre grante në kuadër të WBIF, në vlerë prej 25.9 milionë eurosh. Këto do të mbështesin përgatitjen e investimeve për Hidrosistemin Ibër-Lepenc dhe segmentin e autostradës Qafë e Duhlës–Banullë, si dhe ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, përmes një granti investues prej 24.3 milionë eurosh në bashkëpunim me BERZH.
Ministrja Kusari-Lila vlerësoi se kjo mbështetje financiare paraqet një investim të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, social dhe institucional të Kosovës, duke kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës, mbrojtjen e mjedisit, forcimin e ekonomisë, avancimin e sundimit të ligjit dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. Ajo theksoi se projektet e financuara do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe do të mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të Republikës së Kosovës. /Kujdestari.info