Një nga gjetjet më serioze të Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhet me pasuritë dhe stoqet e Trepçës, për të cilat auditori thotë se nuk ka mundur të sigurojë prova të mjaftueshme për të konfirmuar vlerën reale të tyre. Për këtë arsye, ZKA ka dhënë opinion kundër për pasqyrat financiare të ndërmarrjes.
Raporti thekson se nuk janë ofruar dëshmi të besueshme për metodologjinë e përdorur në vlerësimin e mbetjeve teknologjike dhe stoqeve në vlerë prej 23.18 milionë euro, ndërsa nuk është siguruar regjistrim i plotë dhe dokumentacion për pasuritë afatgjata në vlerë 42.75 milionë euro. Gjithashtu, nuk është kryer zhvlerësimi i ndërtesave me vlerë 45.98 milionë euro dhe i pajisjeve me vlerë 112.53 milionë euro, edhe pse mungesa e një politike të qartë për zhvlerësim krijon rrezik që këto pasuri të jenë të mbivlerësuara në pasqyrat financiare.
Në kapitullin e “Çështjeve kyçe të auditimit”, ZKA thekson se një pjesë e konsiderueshme e makinerive dhe pajisjeve minerare janë të vjetruara, mungojnë investimet kapitale dhe pjesët rezervë, ndërsa ekzistojnë tregues të mundshëm të zhvlerësimit të aseteve, çka mund të ndikojë materialisht në vlerën e tyre reale dhe në pasqyrimin e gjendjes financiare të ndërmarrjes. /Kujdestari.info/