E mërkurë, 24 Qershor, 2026

Jakupi: Prioritet i Kosovës duhet të jetë modernizimi i termocentraleve ekzistuese

Ndaj

Projekti i gazit amerikan në Kosovë ka marrë hov të madh diskutimesh këto ditë, duke u bërë temë e debatit të gjerë në mesin e vlerësuesve dhe ekspertëve të sektorit energjetik.

Bekim Jakupi, njohës i energjisë, ka deklaruar se debati për energjinë në vend po krijon shpesh përshtypjen sikur Kosova duhet të zgjedhë mes lidhjes me rrjetin rajonal të gazit ose gazifikimit të thëngjillit. Por, ai thotë se këto nuk janë alternativa të barabarta.

Sipas tij, energjia është shkencë dhe jo garë opinionesh, ndërsa diskutimi aktual për gazin po trajtohet në mënyrë të thjeshtëzuar dhe shpesh të polarizuar.

Ai thekson se lidhja me gazsjellësin rajonal nuk nënkupton domosdoshmërisht prodhimin e vazhdueshëm të energjisë nga gazi, por para së gjithash krijon një kapacitet rezervë për periudhat kur njësitë me thëngjill dalin jashtë funksionit, kur ka mungesë energjie ose kur nevojitet fleksibilitet shtesë në sistem.

Nga ana tjetër, Jakupi vlerëson se ideja e gazifikimit të thëngjillit është një proces shumë më kompleks dhe më i kushtueshëm.

“Nëse qëllimi kryesor është prodhimi i energjisë elektrike, pse duhet të shtohet një proces i ri industrial ndërmjet thëngjillit dhe energjisë?”, shtron dilemën ai.

Sipas tij, prioriteti i Kosovës duhet të jetë modernizimi i termocentraleve ekzistuese, zhvillimi i energjisë së ripërtëritshme dhe investimi në projekte të depozitimit të energjisë, veçanërisht në hidrocentrale me pompim, të cilat mund të ofrojnë siguri energjetike më afatgjatë.

Gjithashtu, Jakupi shton se, nëse partnerët ndërkombëtarë janë të gatshëm të financojnë lidhjen me rrjetin rajonal të gazit, Kosova duhet ta shohë atë si një instrument strategjik për diversifikimin dhe sigurinë energjetike, e jo si zëvendësim të menjëhershëm të thëngjillit.

Në fund, ai  thekson se qytetarët e vendit kanë nevojë për energji të sigurt, të përballueshme dhe të qëndrueshme. /Buletini Ekonomik

Tabela e përmbajtjes [hide]

Lexo më shumë

Të tjera