Qeveria e Kosovës ka miratuar sot ndarjen e mjeteve financiare për financimin e katër projekteve infrastrukturore në komunat e Mitrovicës, Fushë Kosovës, Graçanicës dhe Obiliqit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, i cili ka njoftuar se me vendimin e sotëm është mundësuar alokimi i fondeve për realizimin e projekteve në këto komuna.
Sipas njoftimit, në Komunën e Mitrovicës do të investohen 500 mijë euro për asfaltimin e rrugëve në fshatrat Bajgorë, Rashan, Terstenë, Kutllofc dhe Vllahi. Ndërkohë, për projektin e përbashkët ndërmjet Fushë Kosovës dhe Graçanicës janë ndarë 200 mijë euro për rehabilitimin e rrugës “Agron Rrahmani” dhe rrugës në Uglare.
Po ashtu, në Komunën e Obiliqit janë ndarë 450 mijë euro për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrugës që lidh Plemetinin me Hamidin dhe Sibocin, si dhe për ndërtimin e sistemit të ndriçimit publik.
Nga katër komunat përfituese, tri prej tyre udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje me partner, pos Graçanices që udhëhiqet nga Lista Serbe. /Kujdestari.info/