E mërkurë, 24 Qershor, 2026

Auditimi zbulon barna të skaduara në vlerë 95 mijë euro në regjistrat e Ministrisë së Shëndetësisë

Ndaj

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit për Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2025, duke evidentuar një sërë parregullsish në menaxhimin e kontratave publike, pranimin e furnizimeve, investimet kapitale dhe administrimin e stokut farmaceutik, raporton Kujdestari.info.

ZKA ka konstatuar se në regjistrat e stokut farmaceutik figuronin katër artikuj në vlerë totale prej 95,520 euro, të cilëve u kishte kaluar afati i përdorimit, por që nuk ishin larguar nga sistemi si produkte të skaduara. Si rezultat, ato vazhdonin të figuronin si pjesë e stokut zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas raportit, auditimi gjeti edhe probleme tjera në menaxhimin e barnave, përfshirë produkte të regjistruara pa çmim, dalje me sasi decimale dhe mospërputhje në datat e skadencës.

Pos kësaj,Auditori kakonstatuar se në katër raste të ndryshme, në vlerë totale prej 778.946 eurosh, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar furnizime pa raportet zyrtare të pranimit të mallrave. Sipas gjetjeve: Tre pagesa në vlerë prej 759.400 eurosh kishin të bënin me furnizime me barna; Një pagesë prej 19.546 eurosh lidhej me furnizim me inventar për burgje.

Në vend të raportit zyrtar të pranimit, komisionet kishin nënshkruar vetëm fletë-dërgesat e operatorëve ekonomikë. ZKA thekson se mungesa e raporteve zyrtare rrit rrezikun që mallrat të pranohen pa verifikim të plotë të sasisë dhe cilësisë, duke krijuar mundësi për pagesa të pajustifikuara apo furnizime që nuk përputhen me kontratat.

Kjo është një nga gjetjet më të ndjeshme të raportit, pasi bëhet fjalë për gati 779 mijë euro mallra të pranuara pa dokumentin kryesor që dëshmon se komisioni shtetëror ka verifikuar zyrtarisht pranimin e tyre. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera