Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit për Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2025, duke evidentuar një sërë parregullsish në menaxhimin e kontratave publike, pranimin e furnizimeve, investimet kapitale dhe administrimin e stokut farmaceutik, shkruan Kujdestari.info.
Një tjetër gjetje e rëndë lidhet me projektin për renovimin e depos së barnave dhe ndërtimin e aneksit, me vlerë prej 1.770.554 euro.
Sipas auditimit, nga nëntë operatorë ekonomikë, kontrata iu dha kompanisë që kishte ofruar çmimin më të lartë, por që kishte fituar pikë shtesë përmes planit dinamik që premtonte përfundimin e projektit brenda 180 ditëve dhe garancionit 10-vjeçar.
Megjithatë, ndonëse deri në fund të vitit 2025 ishin shpenzuar rreth 1.78 milionë euro dhe buxheti total kishte arritur në 1.93 milionë euro për shkak të punëve shtesë, projekti ende nuk ishte përfunduar.
Auditorët theksojnë se operatori kishte kërkuar edhe zgjatje të afatit kontraktual, ndërsa Ministria nuk kishte mekanizma efektivë monitorimi për të siguruar respektimin e planit dinamik që kishte qenë faktor kyç në fitimin e tenderit.
Sipas ZKA-së, ndryshimi i kushteve pas nënshkrimit të kontratës cenon parimin e trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë dhe integritetin e procedurës së prokurimit.
Kjo gjetje është veçanërisht serioze, sepse ngre dyshime nëse oferta fituese është vlerësuar mbi baza reale apo mbi premtime që më pas nuk janë respektuar. /Kujdestari.info/