Ministria e Shëndetësisë ka pranuar 20 autoambulanca në vlerë prej 1.495.800 eurosh, ndonëse sipas auditorëve ato nuk i plotësonin të gjitha kushtet teknike të kërkuara në tender, raporton Kujdestari.info.
Sipas raportit të ZKA-së, dokumentet e tenderit kërkonin që autoambulancat, pajisjet dhe sistemet e tyre të ishin në përputhje me standardin evropian EN 1789:2020 dhe të posedonin deklaratat e konformitetit CE. Megjithatë, gjatë pranimit të automjeteve, komisioni pranues nuk kishte verifikuar ekzistimin e këtyre certifikatave, por ishte mjaftuar vetëm me aprovimin e Qendrës së Automjeteve të Kosovës.
Auditimi evidentoi disa dallime konkrete mes asaj që ishte kërkuar dhe asaj që ishte dorëzuar: Hapësira për pacientin ishte 2800 mm, ndërsa kontrata kërkonte minimum 3100 mm; Barela e ofruar ishte dukshëm më e vogël se dimensionet e paraqitura në ofertë; Shenjat dhe skemat e ngjyrave nuk përmbushnin standardet e cilësisë; Punimet e brendshme nuk ishin përfunduar sipas dokumentacionit teknik.
ZKA konstaton se automjetet e ofruara fillimisht ishin furgonë të zakonshëm që më pas ishin modifikuar në autoambulanca, ndërsa pranimi i tyre është bërë pa verifikimin e plotë të dokumentacionit teknik të kërkuar.
Nëse vërtetohet se zyrtarët kanë pranuar mallra që nuk përputhen me kontratën ose kanë certifikuar rrejshëm përmbushjen e kushteve teknike, rasti mund të ngrejë dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo dëmtim të interesit publik. /Kujdestari.info/