E martë, 23 Qershor, 2026

Edhe Serbia ndër blerësit: Kosova eksportoi mbi 21 milionë euro energji elektrike deri në maj

Ndaj

Kosova ka eksportuar energji elektrike në vlerë prej mbi 21.5 milionë eurosh gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës që i ka shpalosur Kujdestari.info.

Nga janari deri në maj të këtij viti, shitjet e energjisë elektrike kanë arritur vlerën prej 21,565,680 euro, ndërsa sasia e eksportuar ka qenë 249,473.83 njësi, sipas raportit të Doganës për tregtinë e jashtme.

Të dhënat tregojnë se blerësi më i madh i energjisë elektrike nga Kosova ishte Maqedonia e Veriut, ku u eksportuan 122,836 njësi energji me vlerë prej 10.57 milionë euro.

Pas saj renditet Shqipëria, me 79,897.83 njësi të eksportuara dhe vlerë prej 6.86 milionë euro.

Eksporte të energjisë elektrike pati edhe drejt Zvicrës, Malit të Zi, Serbisë, Greqisë, Danimarkës dhe Sllovenisë.

Sipas raportit, muaji me vlerën më të lartë të eksporteve ishte prilli, kur Kosova eksportoi energji elektrike në vlerë prej mbi 5.2 milionë eurosh.

Eksportet e energjisë elektrike përbëjnë një nga kategoritë me vlerë më të lartë në tregtinë e jashtme të Kosovës gjatë muajve të parë të vitit, duke reflektuar aktivitetin në tregun rajonal dhe ndërkombëtar të energjisë.

Duhet se një pjesë e energjisë që Kosova eksporton në periudha të caktuara vjen si rezultat i prodhimit më të lartë se konsumi vendor. Kjo energji sigurohet kryesisht nga termocentralet e KEK-ut, por edhe nga kapacitetet hidroenergjetike, përfshirë Hidrocentralin e Ujmanit. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera