Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar mangësi të rënda në procesin e vlerësimit të ofertave në disa tenderë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës gjatë vitit 2025. Sipas auditorëve, komisionet vlerësuese kanë rekomanduar për kontrata operatorë ekonomikë që nuk i kanë dëshmuar kriteret e kërkuara në dosjet e tenderit, duke ngritur dyshime serioze për ligjshmërinë dhe cilësinë e proceseve të prokurimit publik, shkruan Kujdestari.info.
Sipas nenit 59.4 të Ligjit për Prokurim Publik, një tender mund të konsiderohet i përgjegjshëm vetëm nëse është në përputhje të plotë me të gjitha kërkesat e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë.
Tenderi mbi 10.6 milionë euro në rrugën Prishtinë-Pejë
Në projektin “Zgjerimi i rrugës N9 Prishtinë–Pejë, segmenti Dollc–Zahaq, Loti 3”, me vlerë prej 10.62 milionë euro, dosja e tenderit kërkonte që inxhinieri i gjeodezisë të kishte të paktën tri vjet përvojë pune pas diplomimit, ose pesë vjet në rastin e diplomimit Bachelor, si dhe përvojë në projekte të ngjashme rrugore.
Megjithatë, auditimi ka konstatuar se operatori ekonomik fitues nuk kishte dëshmuar përvojën e kërkuar pas diplomimit, ndonëse ishte shpallur i përgjegjshëm dhe ishte rekomanduar për kontratë.
Edhe në tenderin 4.1 milionë euro u anashkaluan kriteret
Një situatë e ngjashme është evidentuar në tenderin “Rehabilitimi i rrugës N25.2 segmenti Kishnicë-Bresalc”, me vlerë prej 4.13 milionë euro.
Në këtë rast, udhëheqësi i punishtes duhej të ishte inxhinier ndërtimtar me drejtim konstruktiv ose infrastrukturë rrugore dhe të kishte së paku tri vjet përvojë pune pas diplomimit në projekte të ngjashme.
Auditorët kanë gjetur se personi i paraqitur nga operatori ekonomik nuk i plotësonte kriteret e kërkuara për përvojë profesionale, por pavarësisht kësaj oferta ishte konsideruar e përgjegjshme.
Konstatime edhe në projektin e lumit në Baballoq
Shkelje janë evidentuar edhe në tenderin “Rregullimi i Shtratit të Lumit në fshatin Baballoq, Komuna e Deçanit”, me vlerë prej 999 mijë euro.
Dosja kërkonte një inxhinier ndërtimtar ose master të ndërtimtarisë me minimum pesë vjet përvojë pune pas diplomimit në drejtimin hidroteknik. Sipas ZKA-së, operatori ekonomik i përzgjedhur nuk kishte dëshmuar përvojën e kërkuar profesionale, megjithatë ishte vlerësuar si i përgjegjshëm.
Çfarë thotë auditimi?
Sipas raportit, këto mangësi kanë ardhur si rezultat i: vlerësimit jo të plotë dhe jo të saktë të dokumentacionit nga komisionet; interpretimit jo të njëtrajtshëm të kritereve të tenderit; mungesës së kontrolleve efektive të brendshme gjatë procesit të vlerësimit.
ZKA vlerëson se praktika të tilla rrisin rrezikun që kontratat publike të realizohen me cilësi të dobët dhe të mos përmbushen detyrimet kontraktuale.
Auditorët kërkojnë që Ministria të forcojë kontrollin në proceset e prokurimit, të sigurojë që vlerësimi i ofertave të bëhet në përputhje të plotë me kriteret ligjore dhe kushtet e tenderit, si dhe të evidentohen dhe korrigjohen gabimet para nënshkrimit të kontratave. /Kujdestari.info/

