E martë, 23 Qershor, 2026

Kosova blen 11 herë më shumë energji nga Shqipëria sesa i shet asaj

Ndaj

Gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, Shqipëria eksportoi 198 mijë MWh energji drejt Kosovës, ndërsa importoi vetëm 18 mijë MWh.

Vlera e transaksioneve në tregun e energjisë elektrike të Bursës Shqiptare të Energjisë (ALPEX) arriti në mbi 58.8 milionë euro gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, ndërsa volumet e tregtuara u rritën ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja u mbështet nga një situatë më e favorshme hidrike në raport me vitin e kaluar, në një sistem ku Shqipëria vijon të mbështetet kryesisht te prodhimi nga hidrocentralet.

Të dhënat e bursës së energjisë tregojnë se vetëm në tregun e ditës në avancë, gjatë janar-prill 2026, u tregtuan më shumë se 471 mijë MWh energji. Janari shënoi aktivitetin më të lartë financiar, me transaksione prej 16.3 milionë eurosh, ndërsa marsi u rendit i dyti me rreth 15.1 milionë euro. Në shkurt, vlera e tregtimit arriti në 14.2 milionë euro, ndërsa në prill në 13.2 milionë euro.

Edhe pse çmimet rezultuan më të ulëta se një vit më parë, aktiviteti në bursë u zgjerua ndjeshëm. Volumi i energjisë së tregtuar në janar u dyfishua në më shumë se 121 mijë MWh, ndërsa në shkurt u rrit me mbi 131%, në rreth 126.8 mijë MWh.

Në mars, volumi i tregtimit u zgjerua me afro 99% në bazë vjetore, ndërsa në prill rritja ishte rreth 68%. Çmimi mesatar në zonën e ofertimit zbriti në 93.54 euro/MWh në janar, nga 146.43 euro/MWh një vit më parë. Në shkurt, çmimi mesatar ra në 58.87 euro/MWh, ndërsa në mars dhe prill u regjistruan respektivisht 96.89 euro/MWh dhe 84.59 euro/MWh.

Tregtimi ndërkufitar

Paralelisht me rritjen e aktivitetit në bursë, u zgjeruan edhe tregtimet ndërkufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas të dhënave të ALPEX, volumi total i tregtimeve në tregun e përbashkët Shqipëri-Kosovë arriti në 956 mijë MWh në katërmujorin e parë të vitit, më shumë se dyfishi i nivelit prej 463 mijë MWh të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Eksportet e energjisë nga Shqipëria përmes tregut të përbashkët arritën në 198,117 MWh në katër muajt e parë të vitit, nga rreth 39 mijë MWh një vit më parë.

Vetëm gjatë muajit prill, eksportet nga Shqipëria u ngjitën në mbi 51 mijë MWh, niveli më i lartë mujor i raportuar në periudhën e analizuar. Ndërkohë, importet drejt Shqipërisë mbetën dukshëm më të ulëta, duke arritur në rreth 18,149 MWh në katërmujor.

Rritje e fortë u regjistrua edhe në tregun brenda së njëjtës ditë, ku volumet e tregtuara arritën në 28,584 MWh, nga vetëm 1,837 MWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Çmimi mesatar në këtë segment të tregut zbriti në 81.46 euro/MWh, nga 137.77 euro/MWh në katërmujorin e parë të vitit 2025./ Monitor.al

Tabela e përmbajtjes [hide]

Lexo më shumë

Të tjera