E martë, 23 Qershor, 2026

Fondi Pensional i Kosovës shënon rritje të fortë, kthimi nga investimet arrin mbi 114% që nga themelimi

Ndaj

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) ka vazhduar trendin pozitiv të performancës së investimeve, duke arritur një vlerë rekorde të njësisë prej 2.148891 euro për portofolin Standard më 17 qershor 2026, shkruan Kujdestari.info.

Sipas të dhënave të publikuara nga Trusti, kursimet pensionale të qytetarëve kanë shënuar rritje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit, ndërsa vetëm gjatë vitit 2026 portofoli Standard ka realizuar një kthim prej 8.05%.

Në periudhën njëvjeçare, performanca e portofolit Standard ka arritur në 17.15%, ndërsa për tre vitet e fundit kthimi kumulativ është 30.85%. Për pesë vjet, fitimi nga investimet ka arritur në 32.03%.

Të dhënat tregojnë se që nga themelimi i Trustit, kursimet e qytetarëve të investuara në portofolin Standard kanë gjeneruar një kthim total prej 114.89%, që do të thotë se vlera e njësisë është më shumë se dyfishuar krahasuar me fillimin e fondit.

Edhe portofoli i Balancuar ka shënuar rezultate pozitive, me kthim prej 5.80% gjatë vitit aktual dhe 13.79% gjatë 12 muajve të fundit. Ndërkohë, portofoli Konservativ ka realizuar kthim prej 1.56% në vitin aktual dhe 3.50% në periudhën njëvjeçare.

Grafiku historik i publikuar nga Trusti tregon se fondi ka kaluar disa periudha sfiduese, përfshirë krizën financiare globale të viteve 2008-2009 dhe luhatjet e tregjeve ndërkombëtare në vitet e fundit, por në afatgjatë ka ruajtur një trend të qëndrueshëm rritës.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është krahasimi me inflacionin. Sipas Trustit, deri më 31 maj 2026 portofoli Standard kishte realizuar kthim prej 114.55% që nga themelimi, ndërsa Indeksi i Çmimeve të Konsumit në Kosovë ishte rritur për 88.12% në të njëjtën periudhë. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera