Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka ngritur padi ndaj ndërmarrjes “Prishtina Parking” dhe Komunës së Prishtinës, duke pretenduar se pronat e saj janë shfrytëzuar pa të drejtë dhe se është cenuar e drejta e pronësisë në disa parcela që ndodhen në kryeqytet, shkruan Kujdestari.info.
Korporata Energjetike e Kosovës ka pësuar një tjetër humbje procedurale në kontestin me Komunën e Prishtinës dhe ndërmarrjen publike lokale Prishtina Parking, pasi Gjykata Komerciale e Kosovës ka refuzuar ankesën e saj dhe ka lënë në fuqi vendimin me të cilin ishte refuzuar kërkesa për masë sigurie.
Rasti lidhet me një padi të ngritur nga KEK-u, përmes së cilës korporata pretendon se po cenohen të drejtat e saj pronësore në disa parcela kadastrale në Prishtinë. Bëhet fjalë për parcelat me numrat 6219-1, 6219-2, 6218-0, 6225-0, 6223-0, 6222-0 dhe 6221-0, të vendosura në rrugët “Simon Shiroka”, “Nurije Zeka” dhe “Miss Edith Durham”, ku sipas pretendimeve të KEK-ut po zhvillohet aktivitet nga Prishtina Parking dhe Komuna e Prishtinës.
Në padinë e saj, KEK jo vetëm që kërkon që gjykata të konstatojë cenimin e të drejtës së pronësisë dhe të vendosë lidhur me përdorimin e këtyre parcelave, por kishte kërkuar edhe një masë të përkohshme sigurie. Konkretisht, korporata synonte që deri në përfundimin e procesit gjyqësor të ndërpritej veprimtaria afariste e Prishtina Parking dhe Komunës së Prishtinës në këto prona, duke argumentuar se vazhdimi i aktivitetit mund të ndikonte në të drejtat e saj pronësore.
Ky rast kishte kaluar nëpër disa faza procedurale. Fillimisht, siç kishte raportuar Kujdestari.info, çështja ishte paraqitur në Departamentin për Çështje Ekonomike të Gjykatës Komerciale. Megjithatë, gjykata kishte konstatuar se nuk bëhej fjalë për një kontest tipik ekonomik, por për një mosmarrëveshje që lidhet me të drejtat pronësore dhe sendore mbi paluajtshmëritë. Për këtë arsye, Departamenti për Çështje Ekonomike ishte shpallur jokompetent dhe lënda ishte transferuar për trajtim në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Komerciale.
Pas transferimit të lëndës, Departamenti i Përgjithshëm shqyrtoi kërkesën e KEK-ut për masë sigurie dhe më 19 shkurt 2026 vendosi ta refuzojë atë si të pabazuar. Gjykata e shkallës së parë vlerësoi se korporata nuk kishte arritur të dëshmonte kushtet ligjore të nevojshme për caktimin e një mase të tillë.
E pakënaqur me këtë vendim, KEK paraqiti ankesë në Dhomën e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale. Në ankesë, korporata kërkoi që vendimi i shkallës së parë të ndryshohej dhe të caktohej masa e sigurisë, duke urdhëruar ndërprerjen e aktivitetit të Prishtina Parking dhe Komunës së Prishtinës në parcelat e kontestuara deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar. Si alternativë, KEK kërkoi që aktvendimi të prishej dhe çështja të kthehej në rishqyrtim. (VENDIMI)
Megjithatë, kolegji i Dhomës së Shkallës së Dytë, i përbërë nga gjyqtarët Fisnik Nuli, Alajdin Tërshnjaku dhe Dren Rogova, nuk i pranoi argumentet e KEK-ut. Në aktvendimin e 27 marsit 2026, gjykata konstatoi se korporata nuk kishte paraqitur prova bindëse për të bërë të besueshme ekzistimin e kërkesës së saj dhe as nuk kishte dëshmuar se ekziston rreziku që pa masën e sigurisë do të pamundësohej apo vështirësohej realizimi i të drejtave që pretendon.
Një nga arsyet kryesore të refuzimit ishte vlerësimi i gjykatës se Komuna e Prishtinës dhe Prishtina Parking janë institucione publike që nuk mund t’i nënshtrohen falimentimit apo shuarjes, prandaj nuk ekziston rreziku që një vendim eventual në favor të KEK-ut të mos mund të zbatohej në të ardhmen. Sipas gjykatës, mungon elementi ligjor i rrezikut të menjëhershëm, i cili është kusht i domosdoshëm për caktimin e masës së sigurisë.
Gjykata gjithashtu theksoi se pretendimet e KEK-ut lidhur me pronësinë dhe përdorimin e parcelave do të trajtohen në procedurën kryesore gjyqësore, ku do të administrohen provat dhe do të shqyrtohen argumentet e të gjitha palëve. Për rrjedhojë, vendimi aktual nuk e zgjidh ende çështjen e pronësisë, por vetëm refuzon kërkesën e përkohshme për ndalimin e aktivitetit.
Kështu, deri në një vendim përfundimtar për padinë kryesore, Prishtina Parking dhe Komuna e Prishtinës do të mund të vazhdojnë aktivitetin e tyre në parcelat që KEK i konsideron si pronë të vetën. /Kujdestari.info/