Më 24 prill të këtij viti, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2026 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë. Ky udhëzim ka hyrë në fuqi më 27 prill, ndërsa afati i implementimit është vetëm 60 ditë. Në lidhje me këtë, nga Oda Ekonomike deklarojnë se nuk janë konsultuar fare, ndërsa kërkojnë që bizneseve t`u rimbursohen arkat e vjetra fiskale.
Kanë mbetur më pak se 60 ditë nga afati ligjor që bizneset në Kosovë të kalojnë nga arkat fiskale fizike në ato digjitale. Kjo vjen pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ (MF) Nr. 01/2026 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve dhe softuerëve elektronikë fiskalë.
Megjithatë, për këtë udhëzim dhe zbatimin e tij ka dilema nga Oda Ekonomike e Kosovës, pasi sipas tyre, bizneset janë në terr informativ.
“Biznesi gjithmonë kërkon të avancojë dhe çdo reformë që bëhet të mos jetë një sfidë ose kosto ekstra. Vërejtja e vetme ka qenë se nuk kemi pasur njohuri dhe udhëzime se si do të shkojë ky proces për biznesin”, tha Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës
Në anën tjetër, Administrata Tatimore e Kosovës, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se është në proces të themelimit të mekanizmave institucionalë për zbatimin e këtij udhëzimi.
“Udhëzimi Administrativ parasheh periudha të përshtatshme tranzitore për tatimpaguesit, në mënyrë që të sigurohet një kalim i lehtë dhe i menaxhueshëm drejt sistemit të ri. Gjatë kësaj periudhe, pritet edhe certifikimi i softuerëve elektronikë fiskalë, të cilët më pas do të jenë të disponueshëm për përdorim nga bizneset”. /RTK