Raporti Financiar Buxhetor i Komunës së Prishtinës për tremujorin e parë të vitit 2026 nxjerr në pah një rritje të pazakontë të shpenzimeve për paga dhe mëditje, e cila përkon me një shtim të madh të numrit të të angazhuarve me kontrata për shërbime të veçanta, të njohura në praktikë si kontrata mbi vepër, shkruan Kujdestari.info.

Sipas raportit, vetëm gjatë periudhës janar- mars 2026, Komuna ka shpenzuar 15,582,582 euro për kategorinë “Paga dhe mëditje”. Në të njëjtën periudhë të vitit 2025 kjo kategori kishte kushtuar 11,024,255 euro, ndërsa në vitin 2024 ishin shpenzuar 11,670,869 euro.

Kjo nënkupton se për vetëm tre muaj, shpenzimet për paga janë rritur me rreth 4.56 milionë euro krahasuar me vitin 2025 dhe afro 3.9 milionë euro krahasuar me vitin 2024. Në raport, vetë Komuna evidenton se kjo kategori ka shpenzuar 32.22% të buxhetit të planifikuar vjetor për paga, ndërsa krahasuar me vitin paraprak paraqet një rritje prej 41.35%.
Një nga arsyet që mund të shpjegojë këtë rritje është zgjerimi masiv i numrit të personave të angazhuar me kontrata për shërbime të veçanta.
Raporti tregon se në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, Komuna kishte 197 persona të angazhuar me këto kontrata. Nga ta, 196 janë me kontrata trevjeçare, ndërsa vetëm një është ekspert i angazhuar.
Për krahasim, në të njëjtën periudhë të vitit 2025 kishte vetëm 89 të angazhuar, ndërsa në fund të vitit 2024 figuronin vetëm 18 persona me kontrata të tilla. Kjo do të thotë se brenda një viti numri i tyre është rritur me 108 persona, ose mbi 121 për qind, ndërsa krahasuar me vitin 2024 është rritur pothuajse 11 herë.
Shpërndarja e këtyre kontratave tregon se ato nuk janë përqendruar vetëm në një drejtori, por janë shtrirë pothuajse në të gjithë administratën komunale.
Numri më i madh i të angazhuarve figuron në:
- Drejtorinë e Shëndetësisë 60 persona;
- Drejtorinë e Urbanizmit 30 persona;
- Drejtorinë e Administratës 25 persona;
- Kabinetin e Kryetarit 14 persona;
- Drejtorinë për Siguri 14 persona;
- Drejtorinë e Kadastrit 12 persona;
- Drejtorinë e Bujqësisë 11 persona;
- Drejtorinë e Mirëqenies Sociale 9 persona;
- Drejtorinë e Investimeve Kapitale 8 persona;
- Drejtorinë e Inspeksionit 7 persona.
Në disa drejtori rritja është veçanërisht e theksuar. Për shembull, Drejtoria e Shëndetësisë kishte vetëm 1 të angazhuar në vitin 2025, ndërsa tani ka 60. Kabineti i Kryetarit është rritur nga 6 në 14 të angazhuar, ndërsa Drejtoria e Administratës nga 16 në 25. Në anën tjetër, disa drejtori kanë ulje, si Investimet Kapitale nga 16 në 8, apo Shërbimet Publike nga 12 në 1.
Kontratat për shërbime të veçanta, ose kontratat mbi vepër, sipas legjislacionit, janë të destinuara për angazhime të përkohshme dhe specifike, kur institucioni ka nevojë për një ekspertizë apo shërbim të caktuar që nuk mund të mbulohet nga stafi i rregullt. Këto kontrata nuk duhet të përdoren si mekanizëm për të zëvendësuar vendet e rregullta të punës apo për të zgjeruar administratën në mënyrë të vazhdueshme.
Megjithatë, shifrat e raportit financiar krijojnë përshtypjen se kjo formë angazhimi është shndërruar në një praktikë të gjerë. Brenda vetëm një viti, Komuna ka kaluar nga 89 në 197 kontrata të tilla, ndërsa paralelisht shpenzimet për paga janë rritur me më shumë se 4.5 milionë euro vetëm në tre muajt e parë të vitit.

Raporti nuk e ndan në mënyrë të detajuar se sa nga kjo rritje lidhet drejtpërdrejt me kontratat për shërbime të veçanta. /Kujdestari.info/