E premte, 10 Korrik, 2026

Komuna e Prishtinës hap konkurs ndërkombëtar për projektimin e Varrezave të Qytetit

Ndaj

Komuna e Prishtinës ka shpallur konkursin ndërkombëtar për projektimin e Varrezave të Qytetit – Rikonstruimi infrastrukturor i varrezave, një projekt që synon krijimin e një kompleksi modern memorial, me standarde bashkëkohore arkitekturore, peizazhore dhe infrastrukturore, shkruan Kujdestari.info.

Konkursi është publikuar më 7 korrik 2026, ndërsa aplikimet do të pranohen deri më 6 tetor 2026, ora 14:00.

Sipas dosjes së konkursit, projekti synon të krijojë një model të ri të organizimit të varrezave në Kosovë, duke kombinuar funksionet funerale, memoriale, ceremoniale dhe ekologjike në një hapësirë të vetme. Në dokument theksohet se kompleksi nuk synohet të jetë vetëm vend varrimi, por edhe një park memorial që promovon dinjitetin, reflektimin, bashkëjetesën, respektin ndërfetar dhe ruajtjen e identitetit qytetar të Prishtinës.

Projekti do të realizohet në territorin e Komunës së Prishtinës, në zonën e paraparë për zhvillimin e varrezave sipas planeve urbanistike në fuqi. Zona e konkursit përfshin jo vetëm hapësirat ekzistuese të varrezave, por edhe: zonën kryesore të zhvillimit të varrezave; infrastrukturën e qasjes; zonat tampon peizazhore; zonat memoriale dhe ceremoniale; zonat rehabilituese; si dhe hapësira të rezervuara për zgjerime të ardhshme.

Për lehtësimin e projektimit, pjesëmarrësve do t’u ofrohen kufijtë kadastralë, ortofotot, incizimet topografike, incizimet me dron dhe modeli digjital i terrenit.

Konkurs ndërkombëtar për arkitektë dhe ekipe multidisiplinare

Konkursi është i hapur për ekipe profesionale vendore dhe ndërkombëtare të arkitekturës, si dhe për ekipe multidisiplinare të projektimit. Udhëheqësi i ekipit duhet të jetë arkitekt me diplomë Master në Arkitekturë dhe të ketë së paku pesë vite përvojë pune pas diplomimit. Dokumentacioni duhet të përfshijë diplomën, CV-në dhe dëshmi për angazhimin profesional në projekt.

Si do të vlerësohen projektet?

Projektet do të vlerësohen nga një juri profesionale sipas katër kritereve kryesore:

30 pikë për konceptin hapësinor dhe cilësinë arkitektonike;

30 pikë për funksionalitetin dhe organizimin programor;

10 pikë për aspektin ekonomik dhe racionalitetin e zgjidhjes;

30 pikë për aspektin estetik, ekologjik dhe qëndrueshmërinë e projektit.

Për të kaluar në fazën përfundimtare, projektet duhet të marrin minimumi 60 pikë nga 100. Në fazën finale, vlerësimi teknik do të ketë peshë 70 për qind, ndërsa oferta financiare 30 për qind.

Çmimet dhe kontrata për fituesin

Komuna e Prishtinës ka paraparë tre shpërblime për konkursin.

  • Vendi i parë fiton kontratën për hartimin e projektit zbatues me të gjitha fazat e projektimit.
  • Vendi i dytë shpërblehet me 30 mijë euro.
  • Vendi i tretë shpërblehet me 10 mijë euro.

Sipas termave të referencës të përfshirë në dosjen e konkursit, Komuna e Prishtinës synon që Varrezat e Kryeqytetit të mos shërbejnë vetëm si një hapësirë për varrim, por të transformohen në një kompleks memorial dhe qytetar, i integruar me natyrën dhe peizazhin. Në dokument theksohet se projekti duhet të ndërtohet mbi parimet e dinjitetit njerëzor, barazisë, bashkëjetesës, qëndrueshmërisë dhe respektimit të diversitetit fetar e kulturor, duke krijuar një model të ri për organizimin e infrastrukturës funerale në Kosovë.

Vizioni i projektit parasheh që kompleksi të funksionojë si një hapësirë e përbashkët për të gjithë qytetarët e Prishtinës, një vend kujtese, reflektimi dhe qetësie, i harmonizuar me topografinë dhe mjedisin natyror. Dokumenti thekson se projekti duhet të shmangë monumentalitetin e tepërt dhe të promovojë thjeshtësinë, qartësinë hapësinore, heshtjen, ekuilibrin emocional dhe dinjitetin kolektiv, duke e konceptuar kompleksin si një park memorial bashkëkohor me rëndësi afatgjatë publike.

Sa i përket lokacionit, projekti do të zhvillohet në territorin e Komunës së Prishtinës, në zonën e paraparë për zhvillimin e varrezave sipas Planit Zhvillimor Urban dhe Planit Rregullues në fuqi. Zona e konkursit përfshin hapësirat kryesore të zhvillimit të varrezave, infrastrukturën e qasjes, zonat tampon peizazhore, zonat memoriale dhe ceremoniale, zonat rehabilituese, si dhe sipërfaqe të rezervuara për zgjerime të ardhshme. Për projektuesit do të vihen në dispozicion kufijtë kadastralë, ortofotot, incizimet topografike, incizimet me dron dhe modeli digjital i terrenit.

Një pjesë e rëndësishme e dokumentit i kushtohet edhe filozofisë së projektimit. Organizatorët kërkojnë që zgjidhjet arkitektonike të garantojnë trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet fetare dhe jofetare, duke shmangur ndarjet fizike ndërmjet tyre. Konkurrentët inkurajohen të propozojnë hapësira të përbashkëta ceremoniale, zona të përbashkëta pritjeje dhe reflektimi, si dhe një peizazh memorial të unifikuar, ku përdorimi i materialeve natyrore, elementeve të integruara në peizazh dhe formave të thjeshta arkitektonike synon të krijojë një ambient të qetë dhe harmonik për qytetarët. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera