Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, u ka bërë thirrje bizneseve dhe ndërmarrësve në Kosovë që të mos bien pre e personave që pretendojnë se mund të ndikojnë në procesin e ndarjes së granteve.
Përmes një reagimi publik, Kusari-Lila ka theksuar se Ministria është në proces të vlerësimit të aplikimeve për skemat e granteve, ndërsa ka nënvizuar se asnjë person nuk ka të drejtë apo autorizim të premtojë miratimin e ndonjë aplikimi.
“Çdo vendim do të merret vetëm në përputhje me kriteret e përcaktuara në thirrjet publike dhe pas procesit të rregullt të vlerësimit”, ka deklaruar ajo.
Ministrja ka paralajmëruar se çdo person që pretendon se ka ndikim në këtë proces, apo që kërkon ryshfet, pagesa ose favore në këmbim të një vendimi pozitiv, po mashtron qytetarët dhe po cenon integritetin e institucioneve.
Sipas saj, raste të tilla do të trajtohen me “zero tolerancë” dhe të gjithë personat e përfshirë në skema të tilla do të përballen me pasojat ligjore.
Kusari-Lila u ka bërë thirrje bizneseve që të bashkëpunojnë me institucionet për të mbrojtur integritetin e procesit të ndarjes së granteve dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar.
Ajo ka bërë të ditur se çdo person që prezantohet si zyrtar i Ministrisë ose pretendon se mund të ndikojë në vlerësimin e granteve duke kërkuar para apo favore, duhet të raportohet në linjën zyrtare +383 46 311 000 ose drejtpërdrejt në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Ministrja ka garantuar se çdo informacion do të trajtohet me konfidencialitet të plotë, duke theksuar se synimi i Ministrisë është që fondet publike të ndahen vetëm mbi bazën e kritereve, transparencës dhe ligjit, për bizneset që i plotësojnë kushtet e përcaktuara në thirrjet publike. /Kujdestari.info/