Komuna e Prishtinës para pak javëve ka lidhur një kontratë të re në vlerë prej 79,634.59 euro, e cila ka të bëjë me punë të paparashikuara gjatë realizimit të projektit “100 Ndërtim i Sheshit Xhorxh Bush”, shkruan Kujdestari.info.
Kontrata shtesë parasheh rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit, përfshirë furnizimin dhe vendosjen e gypave PE100 RC SDR17, valvolave, elektro-mufave, reduksioneve, kyçjeve në rrjetin ekzistues, si dhe testimin dhe dezinfektimin e sistemit para lëshimit në funksion.

Mbetet e paqartë nëse këto punë nuk ishin identifikuar gjatë projektimit fillestar apo nëse gjendja reale në terren imponoi ndërhyrje shtesë që nuk ishin parashikuar në kontratën bazë.

Kontrata bazë për ndërtimin e sheshit ishte nënshkruar në shkurt të vitit 2025 në vlerë prej 18.16 milionë euro, ndërsa tani projekti është zgjeruar edhe me këtë kontratë shtesë.
Megjithkëtë, ndonëse për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”, fillimisht ishte nënshkruar një kontratë në vlerë prej 18.162.896 euro. Më pas, Komuna pretendoi se në projekt nuk ishin përfshirë dy pozicione kyçe dhe kishte vendosur t’ia japë operatorit 1.279.459 euro shtesë.




