Pas më shumë se dy dekadash shfrytëzim pa kompensim, “Trepça” Sh.A. ka arritur një fitore ligjore në lidhje me një lokal që ndodhet vetëm 100 metra nga Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, raporton Kujdestari.info.
Përmes një komunikate, “Trepça” ka bërë të ditur se pas ndjekjes së të gjitha procedurave ligjore, përfshirë propozimin për masë të sigurisë dhe ankesën e ushtruar nga kompania, Gjykata Komerciale e Kosovës ka aprovuar ankesën dhe ka caktuar masë sigurie ndaj lokalit në rrugën “Johan V. Hahn”.
Sipas aktvendimit të siguruar, Gjykata Komerciale – Dhoma e Shkallës së Dytë, ka aprovuar si të bazuar ankesën e “Trepça” Sh.A., duke ndryshuar vendimin e mëparshëm të shkallës së parë dhe duke caktuar masën e sigurisë ndaj palës kundërshtare.
Me këtë vendim, kundërshtarit i ndalohet kryerja e aktiviteteve në ngastrën kadastrale ku gjendet lokali, pronë e ndërmarrjes “Trepça” Sh.A.
“Trepça” e ka cilësuar këtë si një fitore të jashtëzakonshme ligjore dhe institucionale, duke theksuar se lokali ishte uzurpuar dhe shfrytëzuar për 26 vite pa asnjë kompensim ndaj ndërmarrjes. /Kujdestari.info/
