Ndërlidhja e sistemit Bonus-Malus me afatet për rinovimin e sigurimit të veturës po vazhdon ende nga kompanitë e sigurimit, ndonëse bordi i BQK-së e shpalli këtë praktikë të paligjshme dhe e shfuqizoi atë vitin e kaluar. Një hulumtim disamujor i Buletinit Ekonomik ka gjetur se ndryshimet në rregulloren për Bonus-Malus po zbatohen vetëm për veturat në pronësi të personave fizikë, por jo edhe për ato të bizneseve.
Ndërlidhja e sistemit Bonus-Malus me afatet për rinovimin e sigurimit të veturës po vazhdon ende nga kompanitë e sigurimit, ndonëse Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës e shpalli këtë praktikë të paligjshme dhe e shfuqizoi atë vitin e kaluar.
Në gusht të vitit të kaluar, BQK largoi nga rregullorja të gjitha dispozitat që e lidhnin realizimin e bonuseve dhe zbatimin e malusit me afatet për regjistrimin e veturës. U konstatua se këto dispozita shkonin përtej Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, i cili sistemin bonus-malus e lidh vetëm me historikun e aksidenteve të shkaktuara nga policëmbajtësit.
Si praktikë ndërkombëtare, sistemi “Bonus-Malus”, merr për bazë një histori njëvjeçare të shoferëve dhe në bazë të aksidenteve të shkaktuara ose jo gjatë kësaj periudhe, llogaritë bonusin ose malusin.
Një person që nuk shkakton aksident në komunikacion shpërblehet me ulje të shumës së pagesës për sigurimin e automjetit dhe hynë në kategorinë bonus, ndërsa ata që bëjnë aksidente paguajnë më shtrenjtë dhe hyjnë në kategorinë malus. Deri në vitin 2020, në Kosovë ky sistem ishte zbatuar vetëm sipas kriterit kur shoferët shkaktonin ose jo aksidente në komunikacion.
Sipas ekspertëve të sigurimeve, kështu e parasheh edhe praktika ndërkombëtare në të gjitha vendet e botës.
Por, rregullorja paraprake e hartuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila është në fuqi që nga viti 2012, pësoi ndryshime në korrik të vitit 2020. Zbatimi i këtij sistemi u zgjerua edhe për rastet kur shoferët vonohen në vazhdimin e kontratës për sigurim të veturës.
Sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia dhe Rregullores për Zbatimin e Sistemit Bonus Malus, zbatimi i këtij sistemi bazohet vetëm “në historikun e dëmeve të të siguruarit (policëmbajtësit)”. Në asnjërën prej këtyre dokumenteve, nuk përcaktohet të jetë bazë për zbatimin e sistemit bonus-malus edhe kriteri për vonesat në kontraktimin e sigurimit.

Vitin e kaluar, Buletini Ekonomik publikoi një hulumtim për këtë praktikë, e cila më pas u kontestua edhe nga Avokati i Popullit. Pas rekomandimeve të këtij institucioni, më 25 qershor 2025, BQK miratoi ndryshimet në rregullore, duke shfuqizuar pesë dispozita që e lidhnin bonus-malusin me vonesat administrative në regjistrim dhe rinovim të sigurimit. Këto ndryshime kanë hytë në fuqi që nga muaji gusht i vitit 2025..
Megjithatë, përkundër ndryshimeve të bëra në rregulloren e BQK-së dhe vlerësimit të Avokatit të Popullit se kjo praktikë është e paligjshme, kompanitë e sigurimit kanë vazhduar ta zbatojnë atë në terren.
Hulumtimi disamujor i Buletinit Ekonomik ka gjetur se ndryshimet në rregullore po zbatohen vetëm për veturat në pronësi të personave fizikë, ndërsa bizneset vazhdojnë të penalizohen me malus për shkak të vonesave në rinovimin e sigurimit.
Rasti i biznesit “R.C.A” zbulon ‘hilen’
Nga rasti i biznesit “R.C.A” del se për vazhdimin e kësaj praktike kanë qenë në dijeni edhe Banka Qendrore e Kosovës dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve, të cilat në përgjigjet e tyre u kanë dhënë të drejtë kompanive të sigurimit.
Buletini Ekonomik ka monitoruar nga afër procesin e regjistrimit të veturës për këtë biznes, duke përfshirë kontrollin teknik, pagesën e sigurimit në kompaninë “Elsig” dhe ankesën e ushtruar më pas në BQK.
Pronari i biznesit, F.S., thotë se për arsye praktike kishte shkuar ta rinovonte sigurimin e veturës rreth dy muaj pas skadimit të afatit. Gjatë procedurës ai kuptoi se ishte penalizuar me dy shkallë të malusit. Nga shkalla 9, kompania “Elsig” e kishte kaluar në shkallën 11, që është niveli më i lartë i malusit dhe përkthehet në sigurim më të shtrenjtë.
“Rreth 330 euro sigurimi pa shkaktuar asnjë aksident. Kur i pyeta pse ma kanë aplikuar malusin, më thanë se isha vonuar në regjistrimin e veturës”, thotë ai.

Prezent në këtë takim ka qenë edhe gazetari i Buletinit Ekonomik.
Kur agjentit të kompanisë ELSIG, i është bërë e ditur se është shfuqizuar rregullorja që e lidhte zbatimin e malusit me afatin për regjistrim të veturës, ai ka thënë se “nga BKS na kanë thënë se ndryshimet e rregullores vlejnë vetëm për personat fizikë”.
Duke ju referuar rastit të biznesit R.C.A, nga BKS kanë konfirmuar qëndrimin e njëjtë, me atë të dhënë nga agjenti i ELSIG.
“Rregullorja nuk vlen për bizneset”, kanë thënë shkurt nga BKS.
Kur janë pyetur se në cilën rregullore bazohen për zbatimin e kësaj praktike, nga BKS kanë shmangur rregulloren e BQK-së për Bonus Malus, duke u thirrur në një Udhëzim të tyrin mbi Implementimin e Bonus-Malus për Personat Juridik.
Buletini Ekonomik ka analizuar këtë udhëzim për të parë bazën ligjore se ku mbështetet. Udhëzimi në tërësi bazohet në Rregulloren bazë të BQK-së për Bonus-Malus, e cila tashmë ka ndryshuar sa i përket zbatimit të kësaj praktike.
Në nenin 5 të këtij udhëzimi, decidivisht thuhet: “Ne harmoni me rregulloren për zbatimin e sistemit bonus-malus (miratuar nga Banka Qendrore e Kosovës me 12 qershor 2020), pavarësisht nga përkufizimet në nenet e mësipërme, aplikimi i shkallës së sistemit bonus-malus për kontraktimin e sigurimit, do të varet edhe nga vonesa në renovimin e sigurimit”.
Problemi qëndron në faktin se dispozitat e rregullores së BQK-së, mbi të cilat bazohet ky udhëzim i BKS-së, janë shfuqizuar tashmë. Me ndryshimet e vitit 2025, BQK hoqi pikërisht kriterin që e lidhte bonus-malusin me vonesat administrative në regjistrim dhe rinovim të sigurimit.
Kjo i bie se udhëzimi i BKS-së është duke u zbatuar mbi një bazë rregullative që nuk ekziston më.
Lidhur me këtë, në një komunikim të dytë, Buletini Ekonomik ka pyetur në BKS se pse nuk është përditësuar udhëzimi sipas ndryshimeve të ndodhura në rregulloren bazë të BQK-së.
“Rregullorja që e keni dërguar i subordinohet Rregullores për Bonus Malus të BQK-së. Ndërsa, edhe njëherë ua kujtojmë se pesë dispozita të Rregullores së BQK-së per Bonus Malus janë shfuqizuar në gusht të vitit te kaluar (shih bashkangjitur ne emailin e pare) rrjedhimisht është hequr kushti që e lidhte në mënyrë joligjore regjistrimin e veturës edhe me afatet për rinovim të sigurimit. Pra rregullorja e BKS që e keni bashkangjitur thirret ne Rregulloren e BQK për Bonus Malus e cila tashmë ka ndryshuar”.
Në përgjigjen e dytë, BKS pranon se ndryshimet e bëra nga BQK merren në konsideratë dhe kanë efekt mbizotërues, megjithatë shton se mbesin prapa zbatimit të këtij udhëzimi.
“Dëshirojmë të theksojmë edhe një element me rëndësi lidhur me bazën ligjore të zbatimit të sistemit Bonus-Malus, konkretisht, sipas nenit 1, pika 5 të rregullores përkatëse, është përcaktuar shprehimisht se zbatimi i sistemit Bonus-Malus për personat juridikë rregullohet nga vetë siguruesit ose nga Byroja Kosovare e Sigurimeve. Në këtë kuptim, rregullorja e përcjellë nga ana jonë, e publikuar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, përbën një instrument të lejuar dhe të paraparë nga vetë korniza rregullatore, përmes së cilit konkretizohet mënyra e aplikimit të sistemit në praktikë”, thuhet në përgjigjen e BKS.
BQK kundër rregullores së vet
Pas përgjigjeve të marra nga BKS, biznesi “R.C.A” parashtroi ankesë edhe në Bankën Qendrore të Kosovës, institucion ky që mbikëqyr tregun e sigurimeve dhe vetë Byronë Kosovare të Sigurimeve. Buletini Ekonomik ka monitoruar edhe këtë proces, i cili ka zgjatur rreth një muaj deri në marrjen e përgjigjes përfundimtare.
Në ankesën e dërguar BQK-së, pronari i biznesit, F.S, argumenton se ndryshimet e miratuara nga BQK më 25 qershor 2025 dhe të hyra në fuqi më 4 gusht 2025 kanë shfuqizuar paragrafët që lidhnin bonus-malusin me vonesat administrative në regjistrim dhe rinovim të sigurimit.
Në ankesë thuhet se Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia parasheh që sistemi bonus-malus të bazohet në historikun e dëmeve dhe aksidenteve, e jo në vonesa administrative. Për më tepër, aty thuhet se udhëzimet e BKS-së nuk mund të jenë mbi aktet rregullative të BQK-së.
Nga ana tjetër, në përgjigjen zyrtare ndaj ankesës, BQK i doli në mbrojtje kompanive të sigurimit. Në arsyetimin e saj, BQK nuk trajton fare pjesën e ankesës që kishte të bënte me ndryshimet e rregullores bazë për bonus-malus.
“Bazuar në Udhëzimin mbi Implementimin e Sistemit Bonus – Malus për Personat Juridik aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve më 13.10.2020, ju informojmë se primi në implementimin e sistemit bonus-malus për personat juridik rregullohet bazuar në dispozitat e këtij Udhëzimi”, thuhet shkurt në përgjigjen e BKQ ndaj ankesë së këtij biznesi.
BQK nuk u është përgjigjur pyetjeve të Buletinit Ekonomik se pse nuk është marrë parasysh baza ligjore e paraqitur në ankesë dhe pse nuk janë reflektuar ndryshimet e reja të rregullores në trajtimin e rasteve të bizneseve.
Shënim:
Biznesi R.C.A eshte emer fiktiv per ta ruajtur identitetin e biznesit qe ka parashtruar ankese.