E diel, 24 Maj, 2026

Sistemi strategjik i frekuencave në Kosovë mbetet në duart e TCI International përmes kontratës së negociuar

Ndaj

Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) ka realizuar një tender përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë për “Vazhdimin e Garancionit dhe Shërbimeve të Mbështetjes për Sistemin Nacional të Monitorimit të Spektrit Radio Frekuencor (SNMS)”, ku fituese është shpallur kompania TCI INTERNATIONAL INC -dega në Kosovë, me një vlerë kontrate prej 123,125 euro për një periudhë njëvjeçare, shkruan Kujdestari.info.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrata ka të bëjë me vazhdimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe mbështetjes teknike për një nga sistemet më strategjike të infrastrukturës së komunikimeve elektronike në vend, i cili menaxhohet nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Tenderi është zhvilluar me vetëm një operator ekonomik pjesëmarrës dhe është përmbyllur përmes procedurës së negociuar, pa garë të hapur, duke u bazuar në kriterin e çmimit më të ulët brenda ofertës së pranuar. (DOKUMENT)

Ky vendim lidhet drejtpërdrejt me vazhdimin e funksionimit të Sistemit Nacional të Monitorimit të Spektrit Radio Frekuencor (SNMS), një platformë teknologjike e ndërtuar për monitorimin dhe kontrollin e përdorimit të frekuencave radio në gjithë territorin e Kosovës. SNMS konsiderohet pjesë e infrastrukturës kritike shtetërore, pasi mundëson mbikëqyrjen e spektrit radio, identifikimin e interferencave të paligjshme dhe verifikimin e respektimit të kushteve të licencimit nga operatorët e komunikimeve elektronike.

Sipas specifikimeve teknike të tenderit, ky sistem është ndërtuar fillimisht në kuadër të një kontrate të vitit 2019, kur projekti ishte zhvilluar dhe implementuar në tërësi nga TCI International Inc, duke përfshirë dizajnin, furnizimin, instalimin, integrimin, testimin dhe vënien në funksion të plotë të rrjetit kombëtar të monitorimit. Pas përfundimit të fazës së implementimit dhe testimeve teknike, sistemi është dorëzuar zyrtarisht tek autoritetet në vitin 2023 dhe që nga ajo kohë është në përdorim aktiv operacional.

SNMS përbëhet nga katër stacione fikse monitorimi të shpërndara në lokacione strategjike, një njësi mobile për ndërhyrje dhe matje në terren, një njësi transportuese për operacione të përkohshme dhe Qendrën Qendrore të Monitorimit dhe Kontrollit, e cila shërben si nyja kryesore e menaxhimit të të gjithë sistemit. Përmes kësaj arkitekture, sistemi mundëson monitorim të vazhdueshëm dhe të centralizuar të spektrit radio, duke mbledhur, analizuar dhe ruajtur të dhëna në kohë reale për përdorimin e frekuencave në nivel vendi.

Dokumentet teknike të tenderit theksojnë se SNMS funksionon si një ekosistem i integruar harduerik dhe softuerik, ku çdo komponent është i ndërlidhur me platformën e prodhuesit fillestar. Në këtë kuadër përfshihen pajisjet “TCI Compact Spectrum Monitoring System”, antenat e specializuara për monitorim dhe drejtim sinjalesh, si dhe softuerët operativë “Scorpio Client” dhe “Spectrum Surveyor”, të cilët kërkojnë përditësime, mirëmbajtje dhe mbështetje të vazhdueshme nga prodhuesi.

Në këtë kontekst, procedura e negociuar pa publikim të njoftimit justifikohet nga autoriteti kontraktues me nevojën për vazhdimësi teknike dhe garantim të funksionimit të pandërprerë të një sistemi që konsiderohet kritik për sigurinë dhe menaxhimin e spektrit radio në vend. Qëllimi i kontratës është sigurimi i mbështetjes së plotë operacionale, mirëmbajtja e komponentëve harduerikë dhe softuerikë, si dhe përditësimi i sistemit sipas standardeve të prodhuesit dhe kërkesave teknike të operimit.

TCI INTERNATIONAL INC është kompani amerikane me seli në Fremont, California, dhe është e specializuar në teknologji të avancuara për monitorimin e spektrit radio, inteligjencën e komunikimeve (COMINT) dhe sistemet e mbikëqyrjes së frekuencave. Ajo operon në një segment shumë specifik të industrisë së telekomunikimeve dhe mbrojtjes, ku klientët kryesorë zakonisht janë institucione shtetërore, ushtri dhe agjenci rregullatore.

Kompania është pjesë e grupit industrial SPX Technologies, një korporatë e listuar në bursën e Nju Jorkut (NYSE), që operon në sektorë të ndryshëm industrialë dhe teknologjikë. Në këtë kuadër, TCI funksionon si një njësi e specializuar për zgjidhje të monitorimit të spektrit dhe sistemeve të komunikimeve të avancuara.

Në Kosovë, kompania është e regjistruar si degë e huaj me një strukturë shumë të vogël operative, me vetëm një punonjës të deklaruar, dhe vepron kryesisht përmes përfaqësimit teknik dhe kontratave me institucione publike. Sipas të dhënave të ARBK-së, dega është regjistruar në Prishtinë në vitin 2021 dhe ka si objekt aktiviteti shërbime në fushën e telekomunikimeve dhe sistemeve kompjuterike.

TCI nuk është kompani që operon me rrjet të gjerë degësh komerciale në tregun e lirë, por më shumë një furnizues i specializuar për projekte shtetërore të infrastrukturës së komunikimeve. Në Ballkan, kompania ka pasur projekte të mëparshme të ngjashme, përfshirë instalime të sistemeve të monitorimit të spektrit në Maqedoninë e Veriut, gjë që tregon se operon në rajon përmes kontratave institucionale dhe jo përmes pranisë së madhe tregtare. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera