Njohësi i ekonomisë, Florin Aliu, ka ngritur shqetësimin për rritjen e çmimeve në Kosovë, duke thënë se ato tashmë janë më të larta edhe se në disa vende të Bashkimit Evropian, pavarësisht pagave shumë më të ulëta në vend, raporton Kujdestari.info.
Sipas tij, kjo situatë është paradoksale, pasi Kosova ka paga ndër më të ulëtat në Evropë, më pak taksa, qira më të lira dhe energji elektrike më të lirë krahasuar me shumë shtete evropiane.
“Përgjigjja e vetme, sipas meje, është kartelizimi — marrëveshjet e fshehta në shumicën e sektorëve”, ka shkruar Aliu.
Ai pretendon se “99% e ekonomisë së Kosovës është e kartelizuar”, duke përmendur si shembull marzhat e larta të fitimit të kompanive, që sipas tij janë madje më të larta se ato të kompanisë Apple, ndonëse bizneset në Kosovë kryesisht shesin produkte të prodhuara nga kompani të tjera.
Aliu ka kërkuar forcimin e autoritetit të konkurrencës, duke thënë se vetëm një institucion i fuqishëm mund t’i “shkatërrojë këto kartele”, gjë që sipas tij do të sillte përfitime si për qytetarët përmes çmimeve më të ulëta, ashtu edhe për bizneset që do të përballeshin me konkurrencë të lirë.
Në fund, ai ka ngritur edhe pyetjen nëse në Kosovë ekziston realisht tregu i lirë.
“Shumë herë po dëgjoj që Kosova i ka të garantuara parimet e tregut të lirë. A mundet dikush të ma dëshmojë se në cilin sektor në Kosovë ekziston konkurrenca e lirë?”, ka shkruar ai. /Kujdestari.info/