Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, mori pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për projektin “Rikonstruktimi i rrugës rajonale R119, segmenti Kijevë – Malishevë”.
“Kjo rrugë në tërësi ka gjatësi mbi 11 kilometra dhe është lidhje kyçe për Malishevën dhe 5 fshatra përgjatë kësaj rrugës. Me ç’rast projekti përfshin rindërtimin e tërësishëm nga baza e deri te asfaltimi final. Edhe para luftës, edhe pas luftës ka pasur vetëm arnime të kësaj rrugës, vetëm mirëmbajtje deri në prishjen e radhës, deri në dëmtimin e ardhshëm, por tash ne po e bëjmë rindërtimin e tërësishëm të kësaj rruge fort të vlefshme. Punimet që nisin përfshijnë një segment prej 8.5 kilometra, ndërkaq për pjesën e mbetur do të procedohet me aktivitetin e prokurimit së shpejti”, tha kryeministri në detyrë.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se, përtej lidhjes së pesë fshatrave përgjatë segmenti Kijevë – Malishevë, rruga u shërben në baza ditore 18 fshatrave të zonës.
Ai shtoi se kjo rrugë e zhbllokon potencialin zhvillimor dhe e ndihmon turizmin, sepse krahas banorëve do të përdoret edhe nga qytetarët jo vetëm nga Kosova që shkojnë për t’i vizituar Ujëvarat e Mirushës.
“Na u tha nga operatori ekonomik që janë gjithsej 225 ditë pune deri në përmbylljen e këtij investimi, në mënyrë që qarkullimi të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i sigurt”, theksoi Kurti.
