Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulezim Jagxhiu, vizitoi këto ditë zyrat e kompanisë “Ericsson Nikola Tesla” në Kosovë, duke e vlerësuar këtë kompani si pjesë të rëndësishme të ekosistemit teknologjik dhe transformimit digjital në vend, shkruan Kujdestari.info.
Teksa Ministri i Digjitalizimit, Lulezim Jagxhiu, promovonte bashkëpunimin me kompaninë kroate “Ericsson Nikola Tesla” dhe e cilësonte atë si pjesë të rëndësishme të zhvillimit teknologjik në Kosovë, të dhënat e prokurimit publik tregojnë se kjo kompani ka përfituar kontrata milionëshe nga Telekomi i Kosovës gjatë viteve të fundit, përfshirë edhe përmes procedurave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë.
Vetëm gjatë viteve 2024-2025, Telekomi i Kosovës ka lidhur kontrata në vlerë mbi 22.4 milionë euro me kompaninë Ericsson Nikola Tesla, te gjitha procedurat janë zhvilluar pa garë të hapur dhe me vetëm një ofertues në proces.
Ndërkohë që institucionet e paraqesin bashkëpunimin me Ericsson Nikola Tesla si pjesë të modernizimit të rrjetit mobil dhe zhvillimit të teknologjisë 5G, mënyra e dhënies së disa prej kontratave ka ngre dyshime lidhur me transparencën, konkurrencën dhe varësinë nga një furnizues i vetëm për projekte strategjike të telekomunikacionit në Kosovë.
Në ditën kur institucionet zakonisht janë të mbyllura dhe administrata pushon me 1 Janar 2025, Telekomi i Kosovës kishte publikuar në platformën elektronike njoftimin për dhënie dhe nënshkrim të kontratës, me vlerë 1.4 milionë euro, përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.
Njoftimi mban datën e përgatitjes 31 dhjetor 2025, ndërsa publikimi ka ndodhur më 1 janar, çka lë të kuptohet se formulari është futur në sistem një ditë më herët dhe është publikuar automatikisht në ditën e parë të vitit, një “dhuratë” e vogël institucionale për Vitin e Ri.

Kontrata kishte të bëjë me implementimin e Voice over LTE – VoLTE, një projekt që lidhet me vazhdimin e modernizimit të rrjetit mobil të Telekomit, pas fazave të mëhershme të realizuara gjatë viteve 2022-2024. Arsyeja zyrtare: nevoja për shërbime më kualitative për konsumatorët.

Procedura e zgjedhur nuk ka qenë e hapur, as e kufizuar, por e negociuar pa publikim, ndërsa në tender është pranuar vetëm një ofertë. Fitues i kontratës është kompania Ericsson Nikola Tesla d.d. nga Kroacia, me të cilën Telekomi tashmë ka pasur kontrata të mëhershme për modernizimin e rrjetit.
Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 1.4 milionë euro, por vlera përfundimtare e nënshkruar arrin në 1,449,513.86 euro, me kohëzgjatje 12 muaj.
Ne vitin 2024, Telekomi kishte nënshkruar kontratë me negocim në vlerë 15 milionë euro me kompaninë kroate Ericsson Nikola Tesla d.d. për ndërtimin e rrjetit 5G. “Furnizim me Stacione Baze (SB) per modernizim te rrjetit radio”.
Nw kontratw thuhej se:”Kerkesa ka te beje me blerjen e stacioneve baze (SB) shtese per modernizim te rrjetit radio per lokacionet që aktualisht mbulohen nga SB-të që janë End of-Life dhe End-of-Support. Duke qene jashtë përkrahjes nga prodhuesi si dhe jashtë ciklit jetësor teknologjik, këto pajisje nuk mund të behen upgrade dhe nuk mund të perdoren me. Sherbimet mobile të ofruara nga këto pajisje janë ne rrezik nëse nuk behete nderimi i tyre sa me shpejtë”.

Më pas në 2025, Telekomi i Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje të re me të njëjtën kompani, kësaj here në vlerë prej 1.38 milionë eurosh dhe këtë herë pa asnjë garë publike, përmes procedurës së negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë.
Telekomi kishte planifikuar fillimisht që kontrata të kishte vlerë 1,170,740.00 euro, por pas negocimeve me kompaninë kroate, çmimi jo vetëm që nuk u ul, por u rrit me mbi 200 mijë euro, duke arritur në 1,381,473.20 euro.

Marrëveshja vinte në kohën kur Telekomi kishte nisur zbatimin e fazës së parë të projektit 5G, përmes instalimit të 10 stacioneve bazë dhe kalimit në kodin ndërkombëtar 383.
Nëse kontrata e parë ishte shpallur si një hap strategjik për modernizimin e Telekomit dhe ishte nënshkruar pas një procesi të hapur tenderimi, kjo kontratë e dyt, ndonëse më e vogël në vlerë është kryer në heshtje dhe jashtë syve të konkurrencës, duke e bërë procesin më pak transparent dhe duke ngritur pyetje për llogaridhënien institucionale.
Në shtator 2025, Telekomi i Kosovës kishte realizuar një kontratë në vlerë prej rreth 4.5 milionë eurosh përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Projekti ka të bëjë me “Renovimin e shërbimeve të përkrahjes teknike, shërbimet e implementimit për upgrade dhe implementimin e brezit 2100 MHz (Band 1) në LTE”.
Kontrata, me vlerë të saktë prej 4,584,212.83 euro, ishte rekomanduar për kompaninë “Ericsson Nikola Tesla d.d”, me seli në Zagreb të Kroacisë.
Ky tender është i ndarë në tri lote:
-
Lot 1 – “Shërbime të përkrahjes teknike në Vala”, në vlerë prej 1,708,021.54 euro.
-
Lot 2 – “Shërbimet e implementimit për upgrade (Upgrade Implementation Services)”, në vlerë prej 377,590.26 euro.
-
Lot 3 – “Implementimi i brezit 2100 MHz (Band 1) në LTE”, në vlerë prej 2,498,601.03 euro.

Validiteti i të tre loteve është 16 muaj, ndërsa vendndodhja kryesore e punimeve do të jenë stacionet bazë dhe platformat ekzistuese të rrjetit mobil.
Në dosjen e tenderit thuhet se: “Shërbimet e përkrahjes teknike (Support Services) për periudhën e mbetur të vitit 2025, duke filluar nga 01.07.2025 deri në fund të vitit 2026, kanë për qëllim të sigurojnë mbështetje teknike pas përfundimit të afateve të garancionit dhe mirëmbajtjes për projektet e modernizimit të rrjetit për LOT1 (Rrjeti Qendror), LOT2 (120 RBS), 30 RBS dhe 400 RBS. Është e nevojshme që rrjeti i modernizuar të ketë përkrahje teknike të vazhdueshme për pajisjet hardware dhe software”.
Dega në Kosovë e ERICSSON NIKOLA TESLA D.D. është regjistruar më 15 janar 2010 në ARBK si degë e një shoqërie të huaj. Kjo do të thotë se nuk është kompani e pavarur kosovare, por pjesë e kompanisë mëmë nga Kroacia.
Pronari i saj është Ericsson Nikola Tesla d.d., i cili zotëron 100% të kapitalit (2,500 €). Pra, nuk ka aksionarë të tjerë lokalë në Kosovë. Person i autorizuar dhe përfaqësues në Kosovë janë Besar Spahija (drejtor) dhe Ismet Luta (agjent i regjistruar), të cilët menaxhojnë dhe përfaqësojnë degën në vend.
Aktiviteti primar i kompanisë është telekomunikacioni kabllor, ndërsa merret edhe me tregti dhe shërbime të tjera teknike e mbështetëse.
Përveç Ericsson Nikola Tesla d.d., në rajonin e Ballkanit operojnë disa kompani të tjera që ofrojnë shërbime të ngjashme në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve 5G dhe zgjidhjeve të avancuara për operatorët e telekomunikacionit. Zgjedhja e partnerëve të ndryshëm ndihmon në krijimin e një tregu më konkurrues dhe në shmangien e varësisë nga një furnizues i vetëm. /Kujdestari.info/