Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur mangësi serioze në menaxhimin dhe ekzekutimin e kontratave në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural gjatë vitit 2025. Sipas raportit të auditimit, janë evidentuar raste kur faturat janë pranuar pavarësisht mospërputhjeve të mëdha mes shërbimeve të kryera dhe atyre të faturuara nga operatorët ekonomikë, raporton Kujdestari.info.
Në raportin për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2025, auditorët kanë konstatuar se kontrolli mbi zbatimin e kontratave nuk ka qenë i mjaftueshëm, duke krijuar rrezik për pagesa të parregullta nga buxheti i shtetit.
Një nga rastet e evidentuara lidhet me kontratën për “Shërbimet e repelimit të kafshëve dhe dezinsektimit të fermave për sëmundjen Ethet Hemorragjike – Krime Kongo”. Për dy pagesa me vlerë të përbashkët prej 109,035 eurosh, auditimi ka gjetur mospërputhje të konsiderueshme mes raportit të komisionit për pranimin e shërbimeve dhe faturave të operatorit ekonomik.
Sipas komisionit, ishin verifikuar 1,176 krerë të trajtuar, ndërsa në faturë ishin paraqitur 3,600 krerë, duke krijuar dallime të mëdha ndërmjet shërbimeve të kryera dhe atyre të faturuara. Pavarësisht kësaj, menaxheri i kontratës kishte pranuar faturën duke u mbështetur në raporte të operatorit ekonomik, pa kryer verifikim të pavarur.
Për shkak të këtyre mospërputhjeve, certifikuesi kishte refuzuar certifikimin e një pagese prej 66,036 eurosh, por operatori ekonomik kishte nisur procedura përmbarimore për arkëtimin e saj.
Parregullsi janë gjetur edhe në kontratën kornizë “Zhvillimi i zonave rurale përmes avancimit të shërbimeve këshilluese”, me vlerë 201,500 euro. Auditori ka konstatuar se menaxheri i kontratës kishte pranuar fatura në vlerë prej 198,921 eurosh, ndonëse kishte evidentuar se një pjesë e shërbimeve të faturuara nuk ishin kryer.
Sipas dokumentacionit, vlera e shërbimeve të pranuara nga menaxheri ishte 185,475 euro, ndërsa diferenca prej 13,445 eurosh ishte objekt i procedurës përmbarimore të iniciuar nga operatori ekonomik.
Auditori vlerëson se këto raste kanë ardhur si pasojë e mungesës së monitorimit adekuat nga komisionet e pranimit dhe menaxherët e kontratave, duke rritur rrezikun e pranimit të shërbimeve të paverifikuara dhe pagesave që nuk përputhen me kushtet kontraktuale.
Sipas raportit, këto mangësi ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e transparencës dhe mund të shkaktojnë kosto shtesë për institucionin përmes procedurave përmbarimore.
Për këtë arsye, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që Ministria e Bujqësisë të forcojë kontrollin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave, ndërsa menaxherët e kontratave të mos pranojnë fatura që tejkalojnë vlerën e shërbimeve të kryera, me qëllim të parandalimit të pagesave të parregullta dhe humbjeve financiare. Ministria është pajtuar me rekomandimin e auditorit. /Kujdestari.info/