E martë, 30 Qershor, 2026

Punësohet dhe më pas avancohet në MAPL gruaja e vëllait të Sekretarit të Përgjithshëm, Jeton Qela

Ndaj

Një avancim i para pak javëve në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ngre dyshime lidhur me konfliktin e mundshëm të interesit, pasi në pozitë më të lartë është emëruar Erlinda Smirqaku, e cila, sipas informacioneve të siguruara nga Kujdestari.info, është gruaja e vëllait të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, Jeton Qela.

Smirqaku ishte punësuar në fillim të vitit 2025 në pozitën “Zyrtare Ekzekutive”, ndërsa vetëm pak muaj më vonë është avancuar në pozitën “Zyrtare e Lartë për Bashkëpunim Ndërkomunal”.
Lidhur me këtë rast, Kujdestari.info i ka drejtuar pyetje zyrtare Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, duke kërkuar të dijë nëse ekziston lidhje familjare ndërmjet Erlinda Smirqakut dhe Sekretarit të Përgjithshëm Jeton Qela, si dhe nëse kjo marrëdhënie është deklaruar në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit.

Po ashtu, mediumi ka kërkuar sqarime mbi procedurën e ndjekur për avancimin e saj, kriteret mbi të cilat është bërë vlerësimi, personat që kanë marrë pjesë në procesin vendimmarrës dhe masat që janë ndërmarrë për të garantuar transparencën dhe shmangien e çdo konflikti të mundshëm interesi.

Megjithatë, deri në publikimin e këtij artikulli, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka kthyer përgjigje ndaj pyetjeve të dërguara nga Kujdestari.info.
Jeton Qela është një emër që është përmendur edhe më herët në raportimet mediatike. Në vitin 2023, gjatë emërimit të tij si Ushtrues Detyre i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), mediet raportuan se ai konsiderohej person i afërt me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci. Po ashtu, qenë ngritur edhe dyshime edhe për ligjshmërinë e emërimit të Qelës në këtë pozitë. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera