E premte, 26 Qershor, 2026

AUDITORI PËR SHESHIN “XHORXH BUSH”: Komuna nënshkroi kontratën pa i siguruar të gjitha lejet, punimet u pezulluan

Ndaj

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, duke evidentuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish në menaxhimin e financave publike nga komuna e udhëhequr nga Perparim Rama. Për shkak të këtyre gjetjeve, auditori i ka dhënë komunës opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe ka identifikuar mangësi serioze në planifikimin buxhetor, prokurimin publik, menaxhimin e kontratave, raportimin financiar dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi, raporton Kujdestari.info.

“Për projektin ‘Ndërtimi i Sheshit Xhorxh Bush’, në kohën e nënshkrimit të kontratës nuk ishin siguruar të gjitha pëlqimet dhe kushtet e kërkuara për realizimin e punimeve. Në të dy rastet Komuna kishte zhvilluar procedurat e prokurimit dhe kishte hyrë në obligime kontraktuale pa siguruar paraprakisht dokumentacionin dhe pëlqimet e nevojshme”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të Komunës së Prishtinës, rikonstruktimi i Sheshit “Xhorxh Bush”, është përfshirë në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit si shembull i mosrespektimit të procedurave ligjore para nënshkrimit të kontratës.

Sipas auditorit, Komuna e Prishtinës kishte zhvilluar procedurat e prokurimit dhe kishte hyrë në obligime kontraktuale për realizimin e projektit, ndonëse në momentin e nënshkrimit të kontratës nuk i kishte siguruar të gjitha pëlqimet, lejet dhe kushtet administrative të kërkuara me ligj për fillimin e punimeve.

Auditori vlerëson se një veprim i tillë bie ndesh me kërkesat ligjore që rregullojnë realizimin e projekteve publike, pasi dokumentacioni i nevojshëm duhet të jetë i kompletuar përpara se autoriteti kontraktues të nisë procedurat e prokurimit dhe të lidhë kontratë me operatorin ekonomik.

Në raport theksohet se mungesa e këtyre kushteve nuk ka mbetur vetëm në aspektin procedural. Si pasojë, punimet në projekt janë përballur edhe me masa pezullimi, duke ndikuar në realizimin normal të investimit.

Komuna, gjatë procesit të auditimit, ka argumentuar se për pjesët ku kërkoheshin pëlqime nga vetë komuna ato ishin siguruar, ndërsa për pjesët e tjera ishte paraqitur kërkesë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM). Sipas komunës, ndërmjet saj dhe IKMM-së po zhvillohet një konflikt administrativ lidhur me këtë çështje, ndërsa punimet po vazhdojnë sipas kontratës.

Megjithatë, Zyra Kombëtare e Auditimit nuk e ka pranuar këtë arsyetim.

Në raport thuhet qartë se fakti që një pjesë e pëlqimeve janë siguruar më vonë, apo që aktualisht ekziston një procedurë gjyqësore lidhur me projektin, nuk ndryshon faktin se në momentin kur u zhvillua procedura e prokurimit dhe u nënshkrua kontrata nuk ishin plotësuar të gjitha kushtet ligjore.

Auditori shkon edhe më tej, duke theksuar se vetë pezullimi i punimeve nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dëshmon se nuk ishin plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e projektit. Për këtë arsye, ZKA ka lënë të pandryshuar gjetjen, duke mos pranuar kundërshtimet e Komunës së Prishtinës.

Sipas auditorit, zhvillimi i procedurave të prokurimit dhe hyrja në obligime kontraktuale pa u siguruar paraprakisht lejet dhe dokumentacioni i nevojshëm krijon rrezik për pezullim të punimeve, vonesa në realizimin e projekteve, rritje të kostove financiare dhe komplikime administrative e ligjore gjatë zbatimit të kontratës.

Për këtë arsye, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që Komuna e Prishtinës të mos iniciojë procedura prokurimi për projekte ndërtimore pa u pajisur më parë me lejet ndërtimore dhe të gjitha pëlqimet e kërkuara me ligj, në mënyrë që të shmangen pezullimet, kontestet dhe kostot shtesë në projektet publike. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera