Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, duke evidentuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish në menaxhimin e financave publike nga komuna e udhëhequr nga Perparim Rama. Për shkak të këtyre gjetjeve, auditori i ka dhënë komunës opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe ka identifikuar mangësi serioze në planifikimin buxhetor, prokurimin publik, menaxhimin e kontratave, raportimin financiar dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi, shkruan Kujdestari.info.
“Në një rast, Komuna kishte shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik edhe pse oferta përmbante gabime aritmetike në paramasë dhe parallogari, të cilat tejkalonin pragun e lejuar prej +/-5%, të përcaktuar me rregullore. Përkundër kësaj, komisioni i vlerësimit nuk kishte trajtuar gabimet sipas kërkesave ligjore dhe kontrata ishte nënshkruar bazuar në vlerën e pakorrigjuar të ofertës”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Një tjetër parregullsi e evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit lidhet me procedurën e tenderimit për projektin e Sheshit “Xhorxh Bush”, ku sipas auditorit operatori ekonomik është shpallur fitues edhe pse oferta e tij përmbante gabime aritmetike që tejkalonin kufirin maksimal të lejuar nga legjislacioni i prokurimit publik.
Raporti konstaton se gabimet në paramasë dhe parallogari ishin më të mëdha se pragu prej ±5 për qind, që sipas rregullave kërkon trajtim të veçantë nga komisioni i vlerësimit. Megjithatë, komisioni nuk ka ndërmarrë veprimet e kërkuara me ligj dhe kontrata është nënshkruar duke u bazuar në ofertën e pakorrigjuar.
Sipas auditorit, një veprim i tillë cenon parimin e trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë dhe krijon rrezik që kontrata publike të jepet në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik.
Në raport thuhet se mosidentifikimi dhe moskorrigjimi i gabimeve aritmetike rrit rrezikun e vlerësimit jo të drejtë të ofertave, cenon integritetin e procesit të prokurimit dhe mund të rezultojë në kontraktim joekonomik, duke shkaktuar edhe dëme financiare për komunën.
Për këtë arsye, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që komisionet e vlerësimit të verifikojnë me saktësi të gjitha llogaritjet financiare të ofertave dhe të zbatojnë pa përjashtim dispozitat ligjore kur gabimet aritmetike tejkalojnë pragun e lejuar.
Dihet se, njoftimi për dhënie të tenderit është publikuar të premten, më 30.01.2025 dhe vlera e këtij tenderi parashihet të jetë 18 milionë e 162 mijë e 896 euro.
Sipas njoftimit të publikuar në platformën e-Prokurimi, për ndërtimin e këtij sheshi kontrata ishte lidhur me grupin e operatorëve ekonomikë “Salillari; Gjini Construction Sh.P.K; Hidroterm Sh.P.K”. /Kujdestari.info/