Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, duke evidentuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish në menaxhimin e financave publike nga komuna e udhëhequr nga Perparim Rama. Për shkak të këtyre gjetjeve, auditori i ka dhënë komunës opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe ka identifikuar mangësi serioze në planifikimin buxhetor, prokurimin publik, menaxhimin e kontratave, raportimin financiar dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi, raporton Kujdestari.info.
“Komuna në 46 raste kishte realizuar pagesa të investimeve kapitale në vlerë prej 10,192,709 euro, përmes marrjes së mjeteve nga projekte të tjera kapitale pa aprovimin paraprak të Kuvendit Komunal, në kundërshtim me kërkesat ligjore për ndryshimet buxhetore dhe menaxhimin e investimeve kapitale” thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Mbi 10 milionë euro të buxhetit të Komunës së Prishtinës janë shpenzuar duke u marrë nga projekte të tjera kapitale, pa kaluar paraprakisht në Kuvendin Komunal, ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për pasqyrat financiare të vitit 2025.
Sipas auditorit, bëhet fjalë për 46 raste, ku administrata komunale ka realizuar pagesa për investime duke zhvendosur mjete nga projekte të tjera, pa autorizimin që kërkohet me ligj.
Në praktikë, kjo do të thotë se fondet e miratuara për një projekt janë përdorur për një projekt tjetër, pa vendimin e organit që e ka kompetencën ligjore për ndryshime të tilla, Kuvendit Komunal.
Një praktikë e tillë cenon kontrollin mbi mënyrën se si shpenzohen paratë publike dhe e bën të pamundur që qytetarët dhe kuvendarët të dinë nëse projektet për të cilat janë ndarë fondet janë financuar realisht apo nëse ato mjete janë ridrejtuar diku tjetër.
Pikërisht për këtë arsye auditori e ka përfshirë këtë çështje ndër gjetjet që kanë ndikuar në opinionin e auditimit dhe ka kërkuar që Komuna të mos kryejë më ndryshime të tilla pa respektuar procedurat ligjore. /Kujdestari.info/