Një kontest gjyqësor që lidhet me një kontratë të vitit 2016 për ndërtimin e objektit të menzës së punëtorëve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) është mbyllur në fund të vitit të kaluar me një aktgjykim të Gjykatës Komerciale, e cila e ka obliguar KEK-un të kompensojë kompaninë “Euro-Besi” për dëmet e shkaktuara nga mosrealizimi i kontratës, raporton Kujdestari.info.
Rasti kishte nisur para afro një dekade. Në vitin 2016, kompania “Euro-Besi” kishte fituar tenderin e KEK-ut për projektin “Ndërtimi i objektit për menzë të punëtorëve (Lot 1)”, me vlerë kontraktuale prej 90,500 euro. Sipas kompanisë, pas hartimit të projektit kryesor dhe kryerjes së punëve paraprake, ishte konstatuar se projekti kërkonte punë shtesë që nuk ishin paraparë në dokumentacionin fillestar. (VENDIMI)
“Euro-Besi” pretendoi se kishte kryer obligimet e saj kontraktuale, duke realizuar shpimet gjeomekanike, projektin kryesor dhe revidimin e tij, por se KEK-u nuk kishte krijuar kushtet për vazhdimin e punimeve dhe nuk kishte nënshkruar aneks-kontratën për punët shtesë.
Sipas padisë, kompania kishte mbetur në pritje për muaj të tërë, ndërsa më pas KEK-u kishte kontraktuar një operator tjetër ekonomik për një pjesë të punimeve.
Nga ana tjetër, KEK kishte kundërshtuar pretendimet, duke argumentuar se projekti i dorëzuar nga kompania tejkalonte vlerën e kontratës për mbi 10 për qind dhe se ligji i prokurimit publik nuk lejonte ndryshime të tilla përmes aneks-kontratës.
Fillimisht, rasti ishte trajtuar nga Departamenti Ekonomik i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Në vitin 2020, ajo gjykatë kishte refuzuar kërkesën për fitim të humbur, por kishte urdhëruar KEK-un të krijonte kushtet për zbatimin e kontratës. Më pas, Gjykata e Apelit e kishte prishur atë vendim në tetor të vitit 2021 dhe e kishte kthyer çështjen në rigjykim. Me krijimin e Gjykatës Komerciale, lënda ishte transferuar për trajtim në këtë institucion.
Pas rigjykimit, Gjykata Komerciale më 29 dhjetor 2025 vendosi që KEK-u kishte përgjegjësi për moskrijimin e kushteve të nevojshme për zbatimin e kontratës. Gjykata konstatoi se KEK-u e kishte ditur që projekti fillestar nuk përmbante të gjitha pozicionet e nevojshme për funksionalizimin e objektit, por pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të kompanisë, nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për realizimin e kontratës.
Në aktgjykim, gjykata aprovoi pjesërisht padinë e “Euro-Besi”-t dhe detyroi KEK-un të paguajë 7,950 euro për punët parapërgatitore të kryera dhe të papaguara, si dhe 29,010 euro në emër të fitimit të humbur për shkak të mosrealizimit të kontratës. Në total, KEK-u u obligua të paguajë 36,960 euro, me kamatë ligjore prej 8 për qind që nga data e paraqitjes së padisë në vitin 2018.
Gjykata refuzoi pjesën tjetër të kërkesës, që kishte të bënte me 21,500 euro dëme shtesë të pretenduara për pritje dhe gatishmëri gjatë periudhës së kontratës.
Siç ka verifikuar Kujdestari.info në regjistrat e Gjykatës Komerciale, aktgjykimi është nxjerrë në fund të vitit 2025, ndonëse kontrata dhe mosmarrëveshja datojnë që nga viti 2016. Po ashtu, sipas të dhënave të disponueshme në Gjykatën Komerciale, deri më tani nuk figuron ndonjë vendim i Dhomës së Shkallës së Dytë lidhur me këtë rast, në rast se KEK-u ka ushtruar ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë. /Kujdestari.info/