Është bërë prezantimi zyrtar i skemës së granteve për energji të pastër, me një mbështetje për ndërmarrjet prodhuese në vlerë deri në 25 mijë euro për biznes, e financuar nga Qeveria e Luksemburgut dhe e zbatuar nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor, raporton Kujdestari.info
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, Eric Dietz, ambasador i Luksemburgut në Kosovë dhe përfaqësues nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se me prezantimin e kësaj Skeme po u ndihmojnë kryesisht ndërmarrjeve që kanë kaluar në tregun e hapur të energjisë.
“Po i përkrahim prodhuesit vendorë si shtyllë kyçe e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit, e në të njëjtën kohë si sektori më konsumues i energjisë, të cilët, si rrjedhojë, preken më së shumti nga kostot e energjisë. Prandaj, përmes kësaj skeme po ju kushtojmë përkrahje të veçantë ndërmarrjeve, të cilat kanë dalur në treg të hapur të energjisë elektrike”, u shpreh Kryeministri.
Ministrja Rizvanolli tha se me Skemën e Granteve për Energji të Pastër, po i japin bizneseve një mbështetje konkrete që do t’i ndihmojë të ulin kostot e energjisë, të rrisin konkurrencën dhe të përgatiten më mirë për tregun e liberalizuar.
“Po ofrojmë ndihmë përmes 3 skemave të reja për biznese, duke përkrahur për herë të parë bizneset në investimet në izolimin e ndërtesave të tyre. Gjithashtu për herë të parë, do të mbështesim sisteme për ruajtje të energjisë me bateri, si dhe shndërrues frekuencor për rritjen e efiçiencës për pajisjeve ekzistuese, deklaroi ministrja.
Ndërsa, ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari tha se nga kjo skemë do të përfitojnë ndërmarrjet e mikro-të vogla dhe të mesme, me fokus ndërmarrjet më të prekura nga liberalizimi i tregut të energjisë.
“Në këtë skemë fokusi do të jetë tek ndërmarrjet më të prekura nga tregu i hapur i energjisë elektrike, projektit të cilave synojnë të risin efiçiencën e energjisë dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme brenda në ndërmarrjeve”, deklaroi ministrja Hajdari.
Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, u shpreh se me këtë skemë po shënohet një hap për zotimin afatgjatë të Luksemburgut në fuqizimin e sektorit privat dhe përkrahjen ndaj rritjes ekonomike të qëndrueshme.
Kjo skemë kap shifrën prej 1 milion euro dhe financohet nga Qeveria e Luksemburgut ndërsa zbatohet nga KIESA në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev, Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.