E mërkurë, 6 Maj, 2026

Shteti në “cash” të diasporës: Remitancat arrijnë mbi 781 milionë euro deri në korrik

Ndaj

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar statistikat e Bilancit të Pagesave për muajin qershor 2025, ku edhe këtë vit remitancat vazhdojnë të mbeten një ndër burimet kryesore të të ardhurave për vendin, shkruan Kujdestari.info.

Kosova sot mbahet mbi supet e diasporës. Miliona euro që qarkullojnë çdo muaj nga mërgimtarët tanë. Një pjesë e tyre regjistrohen nga Banka Qendrore, por edhe më shumë hyjnë si para në xhep, duke mos u reflektuar në statistika. Ekonomia e Kosovës shpesh është më shumë “valixhe me euro” sesa politika e qeverisë.

Sipas raportit, remitancat deri në qershor 2025 kanë arritur vlerën prej 654.70 milionë euro, që paraqet një rritje prej 3.91 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Nëse llogariten edhe të dhënat preliminare për muajin korrik 2025, atëherë shuma totale e remitancave kap 781.03 milionë euro. Vetëm gjatë muajit korrik, prurjet nga diaspora u vlerësuan në 126.33 milionë euro.

Banka Qendrore ka bërë të ditur se shumica e remitancave kanë hyrë përmes Institucioneve Financiare Jobankare (IFJB), me një pjesëmarrje prej 51.55 për qind. Ndërkohë, përmes bankave komerciale janë dërguar 18.53 për qind e mjeteve, kurse 29.93 për qind janë realizuar përmes kanaleve të tjera.

Remitancat, të cilat tradicionalisht përbëjnë një shtyllë të fortë të ekonomisë së Kosovës, po tregojnë stabilitet dhe tendencë rritëse, duke reflektuar kontributin e diasporës në mbështetje të familjeve dhe të konsumit vendor. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera