Sektori bankar në Kosovë vazhdon të tregojë stabilitet, me rritje të kërkesës për kredi dhe ndryshime në zakonet bankare të klientëve, të cilët përshtaten vazhdimisht me inovacionet digjitale. Në përmbyllje të stinës së verës, periudhë që karakterizohet nga prezenca e shtuar e mërgatës, Erik Roka nga Banka Raiffeisen, flet për ndikimet që kjo sjell në treg, si dhe për mënyrën se si banka po i përshtat shërbimet dhe ofertat për të adresuar nevojat e klientëve në përgjithësi.
Në këtë intervistë me KosovaPress, ai diskuton çështje si depozitat, zhvillimi digjital dhe orientimi drejt financimit të qëndrueshëm.
KosovaPress: Z. Roka, le të fillojmë bisedën me një vështrim të përgjithshme mbi sektorin bankar në Kosovë. Si e përshkruani gjendjen aktuale dhe cilat janë tendencat kryesore që po shihni në këtë periudhë?
Roka: Sektori bankar në Kosovë vazhdon të paraqitet i shëndoshë dhe i qëndrueshëm, me tregues solidë të kapitalizimit, likuiditetit dhe cilësisë së portofolit. Bankat po mbajnë nivele shumë të ulëta të kredive joperformuese, gjë që reflekton disiplinë të lartë në menaxhimin e rrezikut.
Në këtë periudhë shohim disa tendenca kryesore: Kërkesë të lartë për kredi, si nga individët ashtu edhe nga bizneset, e cila ka sjellë rritje të portofolit të huave, konkurrencë të shtuar në mbledhjen e depozitave, duke pasur parasysh që kursimet janë rritur me ritëm më të ngadalshëm krahasuar me kreditimin si dhe ndryshime në mjedisin ekonomik që kanë ndikuar në sjelljen e konsumatorëve dhe bizneseve, duke e bërë tregun më dinamik.
Megjithatë, ne si sektor mbetemi të përgatitur. Stabiliteti financiar është i garantuar dhe bankat po përshtatin politikat e tyre për të ruajtur balancën mes rritjes së huadhënies dhe tërheqjes së kursimeve. Fokus i yni mbetet mbështetja e ekonomisë reale, financimi i bizneseve dhe familjeve, si dhe ruajtja e sigurisë së depozitave të klientëve.
KosovaPress: Viteve të fundit, sektori bankar në Kosovë është bërë gjithnjë e më konkurrues. Megjithatë, banka juaj vazhdon të mbajë një pozicion lideri në treg. Cilat janë disa nga veçoritë që e bëjnë Bankën Raiffeisen partnerin e preferuar të një numri në rritje klientësh?
Roka: Banka Raiffeisen ka ndërtuar një histori të gjatë besueshmërie dhe stabiliteti në Kosovë, duke u bërë banka më e madhe në vend për nga asetet, depozitat dhe numri i klientëve. Ky sukses bazohet në besimin e klientëve, profesionalizmin, inovacionin, stabilitetin financiar dhe një strategji të qëndrueshme.
Avantazhi ynë kryesor është shërbimi i personalizuar dhe i orientuar drejt klientit, duke ofruar zgjidhje financiare të përshtatura për individët dhe bizneset. Inovacioni dhe teknologjia mbeten shtylla strategjike, përmes investimeve në produkte, shërbime digjitale dhe rrjetin më të madh të degëve në vend, duke ofruar një përvojë të shpejtë, të lehtë dhe të sigurt 24/7.
Si pjesë e Raiffeisen Bank International, sjellim praktikat më të mira ndërkombëtare dhe standardet profesionale, duke mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të klientëve tanë. Këto elemente – besimi, inovacioni, profesionalizmi dhe stabiliteti – konsolidojnë pozicionin tonë lider dhe na bëjnë partnerin e preferuar për individët dhe bizneset në Kosovë.
KosovaPress: Kthimi i diasporës gjatë verës është gjithmonë një periudhë e rëndësishme për ekonominë dhe një mundësi për bankat që të forcojnë marrëdhëniet me klientët nga mërgata, për shembull përmes ofertave për depozita. Si është pozicioni i bankës tuaj në këtë drejtim?
Roka: Kthimi i diasporës gjatë verës është një moment kyç për ekonominë dhe një mundësi për bankat që të forcojnë marrëdhëniet me mërgatën. Raiffeisen Bank ka ndërtuar një pozicion të fortë në këtë drejtim, duke ofruar oferta konkurruese për depozita, si dhe produkte të tjera financiare – kredi, leasing dhe shërbime të përditshme bankare – që u mundësojnë klientëve nga diaspora të investojnë dhe të menaxhojnë financat e tyre në Kosovë.
Depozitat nga diaspora shënojnë rritje të ndjeshme gjatë verës, duke reflektuar besimin në stabilitetin dhe profesionalizmin tonë. Me rrjetin më të madh të degëve në vend dhe shërbime digjitale të avancuara, ofrojmë siguri, komoditet dhe një përvojë bankare të besueshme. Kjo qasje e personalizuar dhe strategjia e qëndrueshme na pozicionojnë si partnerin e preferuar të diasporës dhe kontribuues të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
KosovaPress: Cilat janë disa nga përfitimet kryesore për individët dhe bizneset, në këtë rast edhe për diasporën, kur depozitojnë paratë e tyre në Bankën Raiffeisen?
Roka: Diaspora përfiton një sërë shërbimesh të dedikuara nga Raiffeisen Bank. Një prej ofertave më atraktive ka qenë mundësia për të transferuar mjete deri në 5,000 euro nga jashtë vendit në llogaritë në Kosovë pa komision, duke mundësuar dërgesa të shpejta dhe transparente. Banka ofron gjithashtu mundësi kursimi dhe investimi përmes depozitave në valuta të ndryshme me norma atraktive interesi. Familjarët në Kosovë kanë qasje të menjëhershme në fondet e dërguara përmes kartelave dhe bankomatëve, ndërsa diaspora mbështetet edhe në investime në atdhe, përfshirë financimin e blerjes së pronave përmes produktit të leasingut. Njëkohësisht, per diasporen janë krijuar fonde të dedikuara për bizneset Start-Up që dëshirojnë të fillojnë aktivitetin në Kosovë. Të gjitha këto lehtësohen nga shërbimet edhe online të bankës, të cilat u mundësojnë klientëve të menaxhojnë nga jashte kursimet, të kryejnë transferta dhe të paguajnë detyrime edhe pa qenë fizikisht të pranishëm në vend.
KosovaPress: Banka juaj operon me rrjetin më të gjerë të degëve në vend. Në të njëjtën kohë, banka po investon shumë në digjitalizimin e shërbimeve, dhe para pak javësh, ju keni marrë një çmim si banka më e mirë digjitale në Kosovë. Sa i rëndësishëm është për ju mbajtja e një prezence të fortë fizike, dhe si balanconi këtë me zhvillimin digjital?
Roka: Rrjeti i degëve dhe prezenca fizike mbeten një element kyç i strategjisë sonë, pasi na lejon të jemi gjithmonë afër klientëve dhe të ofrojmë shërbim të personalizuar. Ne besojmë se asistenca njerëzore në degë është thelbësore, duke i ndihmuar klientët të aksesojnë më lehtë shërbimet digjitale dhe produktet tona, duke kombinuar fleksibilitetin e teknologjisë me mbështetjen personale.
Në të njëjtën kohë, investimet tona në digjitalizim na mundësojnë të ofrojmë një përvojë të shpejtë, të lehtë dhe të sigurt për klientët që preferojnë shërbimet online. Çmimi i fundit si Banka më e mirë digjitale në Kosovë është një njohje për përpjekjet tona për të kombinuar teknologjinë më të avancuar me eksperiencën e klientëve. Bashkimi i prezencës fizike të fuqishme, asistencës personale dhe shërbimeve digjitale krijon një model hibrid optimal: klientët mund të zgjedhin mënyrën që u përshtatet më mirë, ndërsa ne ruajmë afërsinë, besueshmërinë dhe fleksibilitetin që e bëjnë Bankën Raiffeisen partnerin e preferuar në treg.
KosovaPress: A mund të ndani disa nga produktet dhe shërbimet më të reja digjitale që Raiffeisen ka prezantuar për ta bërë bankimin më të lehtë dhe më të qasshëm për klientët?
Roka: Banka Raiffeisen ka investuar vazhdimisht në zhvillimin e shërbimeve digjitale për të bërë bankimin më të lehtë dhe më të qasshëm për klientët tanë në Kosovë. Disa nga produktet dhe shërbimet më të reja digjitale përfshijnë: Hapja e llogarive online – si për individët, ashtu edhe për bizneset, pa nevojën për të vizituar degën. Procesi është end-to-end dhe krejtësisht digjital, duke kursyer kohë dhe duke e bërë bankimin më të lehtë; Kredia personale për individë deri në 20,000 € – tërësisht online përmes aplikacionit Mobile Banking (RaIKesh), pa vizitë fizike në degë; Aplikimi për kartë krediti – gjithashtu i plotë online, duke e bërë procesin të shpejtë, të thjeshtë dhe të sigurt. Gjithashtu, vitin e kaluar ne u bëmë banka e parë në Kosovë që integroi nënshkrimin digjital në proceset tona, një tjetër lehtësim i rëndësishëm i bankimit. Këto inovacione tregojnë përkushtimin tonë për të kombinuar teknologjinë moderne me përvojën e klientit, duke ofruar shërbime fleksibël, të shpejta dhe të qasshme 24/7, pavarësisht vendndodhjes së klientit.
KosovaPress: Bankat, jo vetëm në Kosovë por ne nivel global, janë të fokusuara në financimin e qëndrueshëm, veçanërisht për bizneset që kanë ndikim më të madh në mjedis. Çfarë masash po merr Banka Raiffeisen për të mbështetur këtë qasje në Kosovë?
Roka: Sa i përket financimit të qëndrueshëm – kompanitë që janë të gatshme të pajtohen me Taksonominë e BE-se dhe po kontribuojnë në një ndikim pozitiv mjedisor dhe social, mund të kualifikohen për financim të gjelbër. Ne mbështesim klientët tanë në të gjitha aspektet e aktiviteteve të qëndrueshme me financimin përkatës. Në këtë kontekst, ne i mbështesim klientët për te financuar aktivitete qe kontribuojnë ne: Energjinë e ripërteritshme, efikasitetin e energjisë, ekonominë qarkore, ndërtesat e gjelbra, menaxhimin e mbeturinave, menaxhimin e ujërave, industrinë prodhuese, kujdesin shëndetësor.
Në kuadër të financimit të qëndrueshëm ne ofrojmë produkte tona që i kemi përshtatur duke marrë parasysh nevojat e klientëve dhe investimet e ESG-së, por janë gjithashtu në përputhje me udhëzimet dhe aktivitetet e përcaktuara nga Taksonomia e BE-se. Mos të harrojmë të përmendim edhe kredi për investime ESG, financimi i projekteve ESG dhe financimi i qëndrueshëm i patundshmërive.