E enjte, 30 Prill, 2026

Raporti i ASK: Kosova po shet pak, por po blen gjithçka nga jashtë

Ndaj

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për korrikun e vitit 2025 zbulojnë një tablo të zymtë të tregtisë së jashtme të vendit. Deficiti tregtar është rritur për 16,2% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, duke arritur në 576,4 milionë euro. Me fjalë të thjeshta: Kosova po importon shumëfish më shumë mallra sesa që arrin të eksportojë, shkruan Kujdestari.info.

Në korrik, eksportet ranë në 83,8 milionë euro – një rënie prej 2,4% krahasuar me vitin 2024. Në të njëjtën kohë, importet u rritën për 13,5%, duke arritur në 660,2 milionë euro. Kjo do të thotë se eksportet kosovare mbulojnë vetëm 12,7% të importeve, një tregues që ekonomia mbetet e pambrojtur dhe tejet e varur nga jashtë.

Partnerët rajonalë, sinjal alarmi

Edhe pse CEFTA tradicionalisht shihet si hapësira më e natyrshme tregtare për Kosovën, shifrat tregojnë një krizë të vogël: eksportet drejt vendeve të CEFTA-s ranë me 12,4%, ndërsa importet nga këto vende u rritën me plot 19,4%. Pra, jo vetëm që Kosova po shet më pak, por po blen edhe më shumë nga fqinjët.

BE-ja dhe tregjet e tjera


Në tregtinë me Bashkimin Evropian, eksportet u rritën modestisht (8,9%), por importet nga BE vazhdojnë të dominojnë, duke përbërë 42,9% të gjithë importeve. Nga ana tjetër, varësia nga Kina dhe Turqia po forcohet: vetëm këto dy vende përbëjnë gati 27% të importeve totale.

Mesazhi i shifrave

Raporti i ASK-së flet qartë se ekonomia e Kosovës po humb terren në eksport, ndërsa konsumon gjithnjë e më shumë produkte të huaja. Ky bilanc i rënduar jo vetëm që e rrit deficitin tregtar, por edhe e bën vendin edhe më të brishtë përballë krizave të jashtme.

Pra, tregtia e jashtme e Kosovës sot është pasqyra e një ekonomie që varet nga importi dhe nuk arrin të gjenerojë konkurrueshmëri në produktet vendore. Shifrat janë të ftohta, por mesazhi i tyre është i qartë se Kosova po konsumon më shumë se ç’prodhuar dhe kjo faturë çdo vit po bëhet më e rëndë. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera