E shtunë, 18 Prill, 2026

Parafushata e meritat e shpërndara: Fisnik Osmani tenton shiritin, Rama merr pjatën

Ndaj

Në Kosovë, sidomos në kohë fushatash, ndodhin gjëra që nuk do t’i besosh. Prehen shirita, përurohen projekte dhe organizohen ceremonia për investime që kanë ngecur për vite me radhë. Punimet përshpejtohen, vetëm për t’i prerë shiritin dhe për të marrë meritat kush më i pari.

Populli thotë: “Sikur t’kishte më shpesh fushatë zgjedhore”. Nuk është çudi, projektet lulëzojnë sa hap e mbyll sytë, dhe çdo titullar politik nxiton të përurojë gjithçka, pa dallim subjekti. Presion mbi punëkryesit? Sigurisht, sepse nuk ka festë pa shirit të prerë.

Por Fisnik Osmani, Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”, duket se nuk e pati këtë fat. Përpjekjet për të përvetësuar meritat për ndërtimin e objektit administrativ dështuan, pasi fundi i mandatit ia prishi llogaritë.

Megjithatë, Osmani nuk la rastin t’i kalonte kot e ftoi Kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, për një vizitë “informative” në objekt. Minimalisht, një shërbim parafushate, se ku i dihet… nëse Rama mbetet kryetar, ndoshta Osmani shpërblehet me ndonjë post tjetër ose vazhdim mandati — për të cilin po lobon dhe kërkon ndihmë tek çdo derë, pa dallim subjekti politik.

Kujdestari.info  mori vesh se ai e kishte ftuar Ramën për të përuruar objektin e ri administrativ, por kur Rama pa ende skeletin në objekt, hezitoi të kryente ceremoninë dhe u ndal vetëm tek disa lavdërime, të dokumentuara edhe me video.

Rruga e Osmanit tek “Termokos” nisi kur procedurat për ndërtimin e objektit u iniciuan në fund të vitit 2022. Megjithatë, ai asnjë meritë nuk ka për ndërtimin, përveçse për një aneks-kontratë, ku shpërbleu operatorin “Limit Project” edhe kur as 40% e punimeve nuk ishin përfunduar. Që atëherë e dinte se mjetet nuk do të mjaftonin për të përfunduar objektin, pa llogaritur edhe renovimin e hapësirave përcjellëse.

“Punë shtesë” u shfaq gjatë rrugës, dhe gjatë vizitës së Ramës, Osmani i prezanton “sukseset” e tij me shifra të fryra, ndërsa Rama zakonisht ia mban. Sipas videos së shpërndarë nga profili i Ramës në Facebook, Osmani i dhuroi atij një pjatë.

Historiku i ndërtimit të objektit

Tenderi “Ndërtimi i objektit të ri administrativ dhe renovimi i hapësirave përcjellëse në NP ‘Termokos’ Sh.A.” (TER-020-043-5.1.1) u publikua më 13.11.2020.
Pas vlerësimit të ofertave, komisioni rekomandoi konsorciumin “Limit Project”, në vlerë prej 2,433,357.60 euro.
Pas ankesës së operatorit “Eing Com”, OSHP urdhëroi rivlerësim. Komisioni rekomandoi “Eing Com”, por saga vazhdoi… sot projekti po realizohet nga “Limit Project”.

Më pas pati edhe një aneks-kontratë në vlerë prej 238,104.00 euro, ose fiks 9.78% të kontratës bazë, vetëm 0,12% nën kufirin e lejuar ligjor.

Kontrata u nënshkrua në korrik 2023 dhe ka pasur afat për kryerjen e punimeve 18 muaj, që do të thotë se duhej të përfundonte më 27 janar 2025. Sot, më 29 gusht 2025, kontrata është vonuar 214 ditë. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera