Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se më 12 gusht 2025 ka pranuar një kërkesë për njoftim të përqendrimit lidhur me krijimin e ndërmarrjes së përbashkët “JUST FUN KOSOVO SH.P.K.” në Prishtinë, shkruan Kujdestari.info.
Kjo ndërmarrje e sapokrijuar është themeluar nga kompania Balfin B.V., PIAZ Investment DOO dhe biznesmeni Juljan Mane, në bazë të një marrëveshjeje për shitblerje të aksioneve mes palëve.
Balfin B.V., qëndron nën pronësinë e grupit BALFIN, të themeluar nga multimilioneri shqiptar Samir Mane, një prej figurave më të fuqishme të biznesit në rajon. Mane ka ndërtuar perandorinë e tij që nga vitet 1990, fillimisht me tregti elektronike dhe më pas duke e zgjeruar në fusha të shumta si pasuri të patundshme, bankë, turizëm, retail dhe miniera. Sot, Balfin është ndër grupet më të mëdha investuese private në Evropën Juglindore, me projekte të rëndësishme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Greqi e më gjerë.
Ndërkohë, PIAZ Investment DOO është kompani me bazë në Shkup, Maqedoninë e Veriut, ndërsa Juljan Mane është biznesmen i njohur shqiptar që gjithashtu merr pjesë si aksionar.
“JUST FUN KOSOVO SH.P.K.” është regjistruar në zonën industriale të Prishtinës, Central Park, me numër unik identifikimi 812304608. Aktiviteti i saj do të jetë tregtia me pakicë dhe shumicë e produkteve të ndryshme.
Sipas strukturës aksionare:
-
Balfin B.V. zotëron 55% të aksioneve (137,500 euro),
-
PIAZ Investment DOO zotëron 30% të aksioneve (75,000 euro),
-
Juljan Mane zotëron 10% të aksioneve (25,000 euro),
-
Steven Gordon Grunerud zotëron 5% të aksioneve (12,500 euro).
Me këtë hap, Samir Mane përmes Balfin Group po konsolidon edhe më shumë praninë e tij në tregun e Kosovës, duke synuar që “JUST FUN KOSOVO” të bëhet një faktor i rëndësishëm në sektorin e shitjes me pakicë dhe shumicë. /Kujdestari.info/
