E shtunë, 18 Prill, 2026

Konsumatori i pambrojtur në Kosovë

Ndaj

Kosovarët, sipas Zyrës Kombëtare e Auditimit (ZKA), janë të pambrojtur ndaj mashtrimeve, qoftë kur blejnë ushqime në market, qoftë rroba në dyqane apo produkte përmes internetit, ndërsa sistemi për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë nuk është i koordinuar mirë dhe paraqet dobësi të theksuara në secilën hallkë të tij.

Ndërsa, sot e kësaj dite nuk rreshtin abuzimet e tregtarëve me mospërputhjen e çmimeve në rafte me ato në arkë, me tregtimin e produkteve ushqimore me afate të skaduara, me gënjeshtrat e uljes së çmimeve me të ashtuquajturat “aksione”, etj…

“Kosovarët, në markete dhe në supermarkete, gjejnë çmime të ndryshme në rafte nga ato të cilat i paguajnë në arkë. Një e katërta e ankesave nga konsumatorët mbesin të pazgjidhura, e për ato raste që marrin epilog, shpesh operatorët ekonomikë nuk gjobiten. Konsumatorët janë të pambrojtur ndaj mashtrimeve, qoftë kur blejnë ushqime në market, rroba në dyqane apo produkte përmes internetit”, janë vetëm disa raste të evidentuara në raportin e Zyrës Kombëtare e Auditimit (ZKA) pas auditimit të performancës “Efektiviteti i Sistemit për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve në Kosovë” për periudhën 2022-2024, me ç’rast është vlerësuar trajtimi i ankesave, planifikimi dhe realizimi i inspektimeve, zbatimi i strategjive dhe programeve, ndërgjegjësimi publik dhe koordinimi ndërinstitucional për mbrojtjen e konsumatorëve të vendit.

Dhe, ZKA, pas këtij auditimi ka konstatuar se sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë nuk është efektiv (thënë më së buti), ose konsumatori kosovar, praktikisht del të jetë i pambrojtur nga tregtarët abuzues dhe keqpërdorues ordiner në rrjetin tregtar të vendit. Sepse, sipas ZKA-së, rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht përpjekjeve institucionale, konsumatorët në Kosovë nuk gëzojnë mbrojtje reale, të drejtë dhe efektive, si dhe institucionet nuk arrijnë të garantojnë transparencë dhe përgjegjësi të plotë në këtë drejtim.

“Sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve nuk është i koordinuar mirë, dhe paraqet dobësi të theksuara pothuajse në secilën hallkë të tij. Procedurat për trajtimin e ankesave nuk janë të qasshme, të unifikuara dhe nuk monitorohen në mënyrë sistematike e të verifikueshme, duke pamundësuar sigurimin e një mbikëqyrjeje të besueshme dhe transparente për ecurinë dhe zgjidhjen e rasteve. Inspektimet kryhen kryesisht pas ankesave individuale dhe jo në bazë të analizës së rrezikut. Strategjitë dhe planet për mbrojtje të konsumatorëve nuk përcjellën me veprime konkrete e të matshme, ndërsa fushatat për ndërgjegjësim janë të kufizuara dhe nuk arrijnë te të gjithë qytetarët. Koordinimi ndërmjet institucioneve është i dobët dhe mungon një sistem i integruar për ndarjen e të dhënave dhe ndjekjen e përbashkët të rasteve”, thuhet në raportin “Efektiviteti i Sistemit për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve në Kosovë”.

Ndërsa, auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me rezultatet e auditimit ka thënë se “mangësitë e identifikuara në funksionimin e Sistemit të mbrojtjes së konsumatorëve ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtën e qytetarëve për produkte dhe shërbime të sigurta, informim të qartë dhe mekanizma efektivë për mbrojtje”.

Sipas këtij auditimi, del se konsumatorët janë të pambrojtur ndaj mashtrimeve, qoftë kur blejnë ushqime në market, rroba në dyqane apo produkte përmes internetit, ndërsa sistemi për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë nuk është i koordinuar mirë dhe paraqet dobësi të theksuara në secilën hallkë të tij.

Lexo më shumë

Të tjera